LAJME

Akreditohen tri programe të reja master në Universitetin e Prizrenit

Akreditohen tri programe të reja master në Universitetin e Prizrenit
TV Prizreni
TV Prizreni
20 Maj 2026, 12:47

Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren njofton se ka shënuar një sukses të rëndësishëm akademik me akreditimin e tri programeve të reja të studimeve master, të miratuara nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë në mbledhjen e tij të 149-të, të mbajtur më 18 maj 2026.

Sipas njoftimit, ky vendim paraqet një hap të rëndësishëm në avancimin e ofertës akademike dhe fuqizimin e kapaciteteve profesionale e shkencore të universitetit, duke krijuar mundësi të reja për studentët dhe zhvillimin e arsimit të lartë në vend.

Programet e akredituara janë:
– Fakulteti i Edukimit – Edukim dhe Mësimdhënie në Matematikë në Gjuhën Turke, MA
– Fakulteti Juridik – Legjislacion dhe Institucionet e Bashkimit Europian, LLM
– Fakulteti i Shkencave të Jetës dhe Mjedisit – Shkencat Pyjore dhe Ekologji Pyjore, MSc

Siç bëhet e ditur, këto programe janë aprovuar me kuota të përcaktuara studentësh dhe me vlefshmëri trevjeçare të akreditimit, duke dëshmuar përmbushjen e standardeve të cilësisë në mësimdhënie, kërkim shkencor dhe organizim akademik.

Rektori i universitetit, Prof. Dr. Mentor Alishani, e ka vlerësuar këtë arritje si një dëshmi të përkushtimit institucional për ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë dhe zgjerimin e ofertës akademike në përputhje me nevojat e kohës.

“Akreditimi i këtyre programeve të reja master është një sukses i rëndësishëm për universitetin tonë dhe për gjithë komunitetin akademik. Kjo arritje reflekton punën dhe angazhimin e stafit akademik e administrativ në krijimin e programeve cilësore dhe konkurruese” – ka theksuar rektori Alishani.

Me këto programe të reja, Universiteti “Ukshin Hoti” thekson se po vazhdon të zgjerojë ofertën e tij akademike dhe të forcojë rolin e tij si një institucion i rëndësishëm i arsimit të lartë në Kosovë dhe rajon.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika