Agjencia Kosovare e Privatizimit fton të gjithë investitorët e interesuar që të marrin pjesë me ofertat e tyre në Shitjen e Aseteve përmes Likuidimit nr.73, e cila do të mbahet me datë 25 qershor 2025.
Kjo valë e shitjeve synon të nxisë zhvillimin ekonomik përmes krijimit të mundësive konkrete për investime në bujqësi, banim, tregti dhe shërbime. Janë gjithsej 98 ssete të ndara sipas kategorive dhe potencialit zhvillimor, prej të cilave 40 njësi bujqësore, shumë prej tyre me tokë të cilësisë së lartë për bujqësi intensive dhe pemëtari; 49 njësi rezidenciale, ideale për zhvillim të banimit urban e rural; 7 asete me funksione të ndryshme komerciale, të përshtatshme për investime afariste; 1 depo, me potencial për shfrytëzim logjistik apo magazinues dhe 1 lokal afarist në Prishtinë, që përfaqëson një mundësi të rrallë në zemër të kryeqytetit.
Asetet janë të shpërndara në 6 rajonet e Kosovës: Gjilan, Mitrovicë, Pejë, Prishtinë, Prizren dhe Ferizaj, me sipërfaqe që variojnë nga njësi të vogla për investitorë individualë, deri në prona të mëdha që mund të transformohen në qendra zhvillimi rural, agrobiznesi apo projekte banimi.





