Komunat e Kosovës po përballen me vështirësi të mëdha financiare, pasi vetëm gjatë katër muajve të parë të këtij viti u janë marrë mbi 55 milionë euro për zbatimin e vendimeve gjyqësore, kryesisht që lidhen me kontratën kolektive, raporton Ekonomia Online.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, tha për Ekonomia Online se shumica e këtyre mjeteve janë marrë nga vijat buxhetore të dedikuara për investime kapitale, duke paralajmëruar pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët.
“Edhe këtë vit si viteve të kaluara komunat janë duke u sfiduar jashtëzakonisht nga aspekti financiar. Edhe këtë vit deri në këto katër muaj të parë të këtij viti komunave iu kanë marrë mbi 55 milionë euro për zbatimin e vendimeve gjyqësore ku shumica e këtyre vendimeve kanë të bëjnë me kontratën kolektive. Nga këto 55 milionë euro shumica e këtyre mjeteve janë marrë nga vijat buxhetore të cilat kanë qenë të dedikuara për investime kapitale. Domethënë shumë projekte të cilat kanë qenë të parapara me buxhetet komunale nuk do të mund të zbatohen dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë kjo do të ketë impakt negativ në jetën e qytetarëve. Nëse qeveria gjatë rishikimit të buxhetit për këtë vit, domethënë kurdo që kjo do të kemi këtë qeveri gjatë këtij viti pas zgjedhjeve të 7 qershorit, duhet ta ketë si prioritet zgjidhjen e këtij problemi”, tha ai.
Ibrahimi tha se AKK-ja ka tentuar ta zgjidhë çështjen përmes dialogut me nivelin qendror, por sipas tij deri tani nuk ka pasur rezultate konkrete.
“Ne si asociacion jemi munduar përmes dialogut me nivelin qendror ta zgjidhim këtë problem, mirëpo deri më tani nuk ka pas asnjë rezultat sa i përket nivelit qendror karshi këtij problemi dhe qasja e nivelit qendror për ta zgjidhur këtë problem nuk ka qenë e drejtë. Domethënë komunat janë duke vazhduar të dëmtohen jashtëzakonisht shumë për shkak të kontratave kolektive dhe zgjidhje ende nuk ka. Në anën tjetër edhe gjykatat tona nuk po janë efikase sa i përket zgjidhjes së këtij problemi”, tha ai.
Ai bëri të ditur se mbi 26 komuna kanë ushtruar padi ndaj nivelit qendror për kthimin e mjeteve të marra nga buxhetet komunale.
“Para disa viteve mbi 26 komuna të Republikës së Kosovës kanë ushtruar padi ndaj nivelit qendror për marrjen e padrejtë të këtyre mjeteve financiare nga buxhetet komunale dhe në ato padi komunat kërkojnë rimbursimin e mjeteve dhe ata nuk lypin shkakun e problemit por zgjidhjen e problemit sepse po dëmtohen komunat e Republikës së Kosovës dhe ka që disa vite këto kërkesat e komunave të cilat ne i konsiderojmë që janë të ligjshme nuk janë duke u zgjidhur nga gjykatat tona në Republikën e Kosovës dhe gjithashtu bëjmë apel që kjo çështje të merret me prioritet nga gjykatat tona”, tha ai.
Sipas tij, gjykatat kanë qenë më efikase në trajtimin e padive të mësimdhënësve sesa në rastet e komunave.
“Ne po e themi këtë sepse kur po vjen puna deri te paditë e ngritura nga mësimdhënësit, gjykatat tona po janë shumë efikase mirëpo ka që disa vite që kërkesat e komunave nuk është duke i dëgjuar askush edhe në sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës dhe kërkojmë angazhim maksimal nga gjykatat tona që ta zgjidhin, që t’i japin verdikt final këtij problemi sepse komunat janë duke u dëmtuar jashtëzakonisht shumë nga marrja e padrejtë e mjeteve financiare për shkak kontratave kolektive. Edhe një herë po e ritheksojmë: asociacioni dhe kryetarët e komunave nuk janë kundër kontratave kolektive por janë kundër marrjes së mjeteve në mënyrë të padrejtë nga përmbaruesit, nga vendimeve e gjykatave tona që shkojnë normal në favor të mësimdhënësve”, tha ai.
Ibrahimi ngriti shqetësim edhe për moszbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me shtesat për përvojën e punës, duke thënë se barra financiare po u bartet komunave.
“Problemi i dytë i cili këtë vit do të jetë për komunat nga aspekti financiar është që niveli qendror nuk e ka zbatuar një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese sa i përket shtesave për përvojën e punës dhe neve vitin e kaluar kemi pas një lloj dakordance me sindikatën e pavarur të administratës publike që zyrtarët publikë mos të fillojnë me ushtrimin e padive sepse do t’i merren komunave përsëri paratë, edhe pse komunat nuk janë fajtore këtu sepse niveli qendror nuk e ka zbatuar një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese dhe këtë vit shumë zyrtarë publikë edhe në nivelin lokal kanë filluar të ushtrojnë padi dhe normal që për fajin e nivelit qendror komunat do të dëmtohen nga këto veprime”, tha ai.
Ai sqaroi se Gjykata Kushtetuese ka vendosur që të gjithë zyrtarët publikë të përfitojnë shtesë prej 0.5 për qind për përvojën e punës, por sipas tij kjo nuk është reflektuar në buxhetet qendrore.
“Ligji për pagat në ligjin aktual thotë se për zyrtarë publikë të cilët kanë më pak se 15 vjet përvojë pune masa e shtesës të jetë në 0.25%, kurse për ata që kanë përvojë më shumë se 15 vjet masa e shtesës të jetë 0.5%. Mirëpo Gjykata Kushtetuese ka thënë që të gjithë zyrtarët publikë masa e shtesës për përvojë të punës duhet të jetë 0.5% dhe këtë nuk e ka zbatuar niveli qendror dhe për vitin 2023, 2024 dhe 2025 niveli qendror nuk e ka paraparë në buxhetin e tyre këtë masë shtese për përvojën e punës dhe tani zyrtarët publikë kanë bërë veprime juridike ku përsëri komunat rrezikohen që mjetet financiare t’iu merren padrejtësisht”, tha ai.
Ai kritikoi edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke thënë se nuk ka paraparë mjete për mbulimin e kostove të punëtorëve teknikë të angazhuar gjatë procesit zgjedhor.
Sipas tij, të gjitha këto veprime po ndikojnë drejtpërdrejt në zvogëlimin e investimeve kapitale dhe në dëmtimin e qytetarëve të Kosovës.
“Pra e para kontrata kolektive, e dyta moszbatim i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për përvojën e punës dhe tani kemi edhe problemin tjetër i cili ka lindur për shkak të KQZ-së sepse KQZ-ja edhe në zgjedhjet e kaluara por edhe në këto zgjedhje nuk ka paraparë mjete financiare për mbulimin e kostos për punëtorë të cilët do të angazhohen në ditët e zgjedhjeve, punëtorë teknikë nëpër institucionet të cilat menaxhohen nga komunat e Republikës së Kosovës dhe të cilët merren me parapërgatitjet teknike për procesin zgjedhor. Domethënë këtë kosto KQZ-ja po mendon t’ia bartë komunave padrejtësisht. Pra KQZ-ja është institucioni i cili ka legjitimitet të plotë për organizimin e zgjedhjeve. Edhe në këtë rast kostoja financiare për punëtorë teknikë të cilët angazhohen gjatë ditëve të zgjedhjeve duhet të mbulohet apo të merret nga KQZ-ja e jo nga komunat. Domethënë këto veprime nga institucionet qendrore po e dëmtojnë jashtëzakonisht rëndë buxhetin e nivelit lokal dhe për shkak të këtyre veprimeve buxhetet komunale po zvogëlohen jashtëzakonisht shumë por edhe nuk ka mundësi të ketë investime kapitale nëpër komunat tona. Pra në mënyrë të drejtpërdrejtë qytetari i Republikës së Kosovës do të dëmtohet”, tha ai./EO