Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka kërkuar nga institucionet qendrore që të kompensojnë pa vonesa dëmet e shkaktuara nga vërshimet, duke theksuar se qytetarët kanë nevojë për mbështetje konkrete dhe jo për vizita simbolike.
Në një reagim, Bordi i AKK-së shprehu shqetësimin e thellë për dëmet e shkaktuara nga vërshimet e fundit në komunat e vendit, duke vlerësuar të papranueshme zvarritjen e kompensimit të dëmeve nga vërshimet e viteve të kaluara.
“Është e papranueshme që, ndërsa komunat dhe qytetarët po përballen me dëme të reja, një pjesë e madhe e dëmeve nga vërshimet e vitit 2023 dhe të janarit 2026 ende nuk janë kompensuar. Qytetarët nuk kanë nevojë për vizita dhe fotografi, por për mbështetje konkrete dhe kompensim të drejtë e të shpejtë”, thuhet në reagimin e AKK-së.





