Akil Gjakova e ka mbyllur me festë një ditë të gjatë e të mbushur me duele. Të shtunën, xhudisti kosovar e fitoi medaljen e bronztë në Grand Slamin në Paris.
Akili garoi në kategorinë deri 73 kilogramë, ndërsa i fitoi 500 pikë shumë të rëndësishme për renditjen botërore.
Në një atmosferë madhështore, para më shumë se 15 mijë shikuesve, Akili për medalje të bronztë e mposhti xhudistin e Taxhikistanit, Behruzi Khojazoda, që ishte bartësi i gjashtë.
Lufta ishte shumë e fortë dhe thuajse e barabartë. Akili nuk ka pasur shumë tentime për hedhje. Lufta shkoi në kohën shtesë, ku Akili gjeti momentin e përshtatshëm për të realizuar aksion për uazari. Ishte mjaftueshëm për fitore dhe për tjetër medalje shumë të rëndësishme në rrugëtimin drejt Lojërave Olimpike që mbahen po në Paris.
Deri te lufta për medalje, Akili i kishte plot pesë përballje. Nisi me fitore të vështirë ndaj turkut Umalt Demirel. Më pas e mposhti xhudistin e Azerbajxhanit, Rashid Mammadaliyev. Në xhiron e katërt me Ippon të bukur e mposhti kanadezin Arthur Margelidon, që ishte bartësi i pestë.





