LAJME

Agjencia për Akreditim pranohet si autoritet akreditues në SHBA, Kosova shteti i parë në Evropë që gëzon këtë status

Agjencia për Akreditim pranohet si autoritet akreditues në SHBA, Kosova shteti i parë në Evropë që gëzon këtë status
TV Prizreni
TV Prizreni
5 Maj 2026, 07:50

Agjencia e Kosovës për Akreditim është pranuar zyrtarisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si “autoritet akreditues”, me një vendim të Bordit të Këshillit për Akreditimin e Arsimit të Lartë (CHEA), i vlefshëm për shtatë vjet, përkatësisht deri më 31 dhjetor 2033.

Sipas njoftimit të lëshuar nga AKA-ja, Bordi i Drejtorëve në CHEA ka miratuar rekomandimin për njohjen e agjencisë kosovare si autoritet akreditues në SHBA.

Me këtë vendim, siç ka bërë të ditur agjencia, Kosova bëhet aktualisht shteti i parë dhe i vetëm në Evropë që gëzon një status të tillë në Shtetet e Bashkuara.

“Kjo njohje nga SHBA-të vjen më pak se një vit pasi Agjencia e Kosovës për Akreditim u regjistrua në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), duke e bërë Kosovën shtetin e vetëm në Ballkanin Perëndimor me këtë status. Ky vendim vjen si rezultat i një procesi të gjerë dhe të kujdesshëm vlerësimi dhe përbën një dëshmi të qartë të reformave të ndërmarra, profesionalizmit institucional dhe përkushtimit të vazhdueshëm të AKA-së për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë” – thuhet në njoftim.

Sipas AKA-së, kjo njohje forcon kredibilitetin ndërkombëtar të sistemit të akreditimit në Kosovë, rrit besueshmërinë e programeve të studimit dhe hap mundësi të reja për studentët, institucionet e arsimit të lartë dhe diasporën tonë.

“Për studentët, kjo nënkupton më shumë mundësi për vazhdim të studimeve, mobilitet akademik dhe lehtësim në njohjen dhe vlerësimin e diplomave të tyre jashtë vendit. Për institucionet e arsimit të lartë në Kosovë, ky është një nxitje e rëndësishme për thellim të bashkëpunimit me universitetet ndërkombëtare, veçanërisht ato amerikane, si dhe për avancim të mëtejshëm të standardeve akademike dhe cilësisë së programeve studimore” – thuhet në njoftimin e AKA-së.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika