Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë: Bota po përballet me krizën e parë botërore të energjetikës

Agresioni ushtarak rus në Ukrainë do të ketë efekte afatgjata në furnizimin me energji dhe te tregjet.

Sipas rezultateve nga një raporti të ri, prezantuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) thonë se bota po përballet me “krizën e parë botërore të energjisë”.

IEA shtoi se faturat e papërballueshme të energjisë mbeten një problem i madh, pasi janë rritur si rezultat i kufizimit të eksporteve të naftës dhe të gazit.

“Me problemet e pandërprera gjeopolitike dhe ekonomike, tregjet e energjisë mbeten jashtëzakonisht të cenueshëm dhe kriza shërben si një kujtesë për brishtësinë dhe paqëndrueshmërinë e sistemit aktual botërore të energjisë. Barra më e rëndë po bie mbi familjet e varfra, ku një pjesë më e madhe e të ardhurave po shpenzohet për energjinë”, paralajmëroi IEA.

Agjencia me qendër në Paris ka përllogaritur se vlera e shpenzimeve qeveritare për të mbrojtur konsumatorët nga rritja e çmimeve aktualisht është 550 miliardë dollarë në shkallë botërore dhe pritet të rritet akoma më tej, veçanërisht në Britani të Madhe dhe në Gjermani.

Raporti përmendi gjithashtu skemën REPowerEU, e cila synon të arrijë pavarësinë e vendeve të Bashkimit Evropian nga energjia ruse deri në vitin 2030. Agjencia parashikon që pjesa relative e Rusisë në tregtinë botërore të energjisë do të bjerë nga 20 për qind që është aktualisht në 13 për qind deri në vitin 2030.

Po ashtu, thuhet se parashikimet e bazuara te çmimet aktuale dhe politikat e qeverive tregojnë se kërkesa botërore për çdo lëndë djegëse fosile ose do të rritet ose do të qëndrojë në të njëjtat nivele.

Në fund, raporti thekson se për të arritur emetimet neto zero deri në vitin 2050, investimet për energjinë e pastër do të duhet të jenë mbi 4 trilionë dollarë deri në vitin 2030. Në nivelet aktuale, parashikohet se do të arrihet vetëm gjysma e kësaj shifre. /Telegrafi/

Next Post

Të Fundit