Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka kërkuar nga organet e partisë, që të mos garojë në listën për deputet, në zgjedhjet e 14 shkurtit, shkruan Gazeta Blic.Burime të Gazeta Blic, bëjnë me dije se Veliu këtë kërkesë në Kryesinë e LDK-së e ka bërë me arsyetimin e rezultatit zgjedhor në Podujevë, duke iu thënë se e sheh më të udhës që të pauzojë një kohë, për t’u kthyer sërish në garë zgjedhore.
Siç merr vesh Gazeta, një kërkesë e tillë e Veliut, nuk ka gjetur mbështetje tek kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa.
Mustafa ka kërkuar nga Veliu, që të jetë pjesë e procesit zgjedhor, duke i thënë se një gjë e tillë është e domosdoshme.“Veliu kërkoi nga kryesia që të lirohet nga garimi në këto zgjedhje. Një nga arsyetimet e tij ishte rezultati zgjedhor në Podujevë. Por, kërkesa e tij nuk i pëlqeu kryetarit Mustafa, i cili i tha në mbledhje Veliut, se duhet gjithsesi të jetë pjesë e garës për deputet në zgjedhje”, i ka thënë ky burim Gazetës Blic.Gazeta Blic, ka folur me nënkryetarin e LDK-së, Agim Veliu, i cili as nuk e ka mohuar e as pohuar një gjë të tillë.
Veliu ishte shumë i shkurtë në përgjigje, duke thënë se janë në proces të formimit të listës zgjedhore, duke iu shmangur pyetjes së a do të jetë vetë ai pjesë e asaj liste.
“Formimi i një liste është në proces. Kaq mundem të ju njoftoj”, ka thënë shkurt Veliu për Gazeta Blic.Zgjedhjet e reja, tashmë janë caktuar të mbahen të dielën e 14 Shkurtit.Ende partitë politike, nuk i kanë zyrtarizuar kandidaturat për deputetë.Por, tashmë dihet për shumicën e partive, se me kë do garojnë për kryeministër.LDK e ka vendosur kandidat për kryeministër, Avdullah Hotin, PDK – Enver Hoxhajn, ndërsa tek Vetëvendosje ende nuk dihet se a do të lejohet kandidimi i Albin Kurtit, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.Në anën tjetër, AAK, në këto zgjedhje, nuk do të ketë kandidat për kryeministër, por kreu i saj, Ramush Haradinaj, do të jetë bartës i listës dhe kandidat për president të ardhshëm të vendit.