Lëvizja Vetëvendosje po e quan “budallaki” të partive të tjera bllokadën në Kuvendin e Kosovës. Deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashi, ka thënë se bllokada s’është as politike e as juridike.
“As si çështje politike, as si çështje juridike. Si budallaki e opozitës për ta mbajtë situatën të bllokuar vetëm për ta parë më keq LVV-në dhe Albin Kurtin. Nuk po shoh arsye tjetër pse krejt kjo po ndodh”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.
Abrashi insiston se LVV-ja po funksionon sipas rregullores e Kushtetutës, e se partitë e tjera po i shkelin ato duke vazhduar me deklarime ne sallën e seancave. Deklarimet e tyre, Abrashi ka thënë se do t’i përdorim si argumente për t’i dërguar në Gjykatën Kushtetuese.
“Krejt këto që po ndodhin, e patë që opozita në kundërshtim me rregullat vazhdoi të qëndrojë në sallë dhe të mbajë deklarime politike, do përdoren si argumente nga ana jonë me shumë gjasë për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Vazhdimisht këta po bëjnë shkelje kushtetuese duke mos marrë pjesë në votim, duke thënë gjëra palidhje në foltore. Ideja është që me shndërru në teatër Kuvendin dhe me dalë nga papërgjegjësia që ia kanë ngarkuar vetes”, ka theksuar ai.
Prej tre muajsh procesi për formimin e institucioneve ka ngecur me kundërshtimin e partive politike që të kalojnë në votimin për kryetar të Kuvendit. Të mërkurën, për të 44-tën herë, seanca konstituive ka dështuar për shkak të ngërçit te votimi për formimin e komisionit për votim të fshehtë. Partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë po kundërshtojnë të votojnë me arsyetimin se kjo është shkelje e Rregullores së Kuvendit dhe Kushtetutës, derisa Lëvizja Vetëvendosje po insiston se është në të drejtën e saj si parti fituese e zgjedhjeve të propozojë kë të dojë për kryeparlamentar. LVV-ja e ka futur në votim për kryeparlamentare disa herë Albulena Haxhiun.
Pasi dështoi seanca të mërkurë, 9 korrik, deputetët e tri partive opozitare (PDK-LDK-AAK) vazhduan të qëndronin në sallën e Kuvendit. Kjo u bë në shenjë proteste, sipas tyre, për mosrespektimin e aktgjykimit të Kushtetueses nga Vetëvendosja. Deputetë të tyre kanë mbajtur edhe fjalime nga foltorja e Kuvendit.