Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku në një konferencë tha se çdo zvarritje e qëllimshme nga Lëvizja Vetëvendosje është zgjatje e krizës dhe se zgjidhja e vetme janë zgjedhjet.
Abdixhiku theksoi para gazetarëve në këto rrethana edhe mandatari i dytë, Glauk Konjufca duhet të jetë i sinqertë dhe të konstatojë se nuk e ka shumicën.
““Cikël që i ngjan cirkut politik, pra në fund të bllokadës tetë mujore Kosovës po i propozohet si zgjidhje një qeveri e pakicës për një periudhë tranzitore për të trajtuar çështje shtetërore. Unitet tranzitor tash po i thonë dhe natyrisht është i imponuar, jo me diskutim ndërpartiak, por me vendime të një partie politike”, tha Abdixhiku.
Sipas tij, partitë serioze do të duhej të kishin menduar me kohë propozimin e tyre.
“Qeveri të pakicës nuk mund të ketë më në Kosovë”, tha ai, duke shtuar se zgjidhja e vetme janë zgjedhjet.
Ai tha se në takim me presidenten ka shprehur se nëse ka dakordim me partitë për të shkuar shkuar në zgjedhje, mund të konsiderojnë zgjidhje për ‘zgjatim të buxhetit’.
Sipas tij, shumë më mirë do të ishte që para disa muajve të bëhej qeveria e unitetit, gjersa shtoi se ajo çfarë sot propozohet i ngjan monarkisë, raporton Telegrafi.
“Në monarki mandati trashëgohet, nga babai te i bri. Nga Albini tek Glauku. Në demokraci mandati sigurohet e rinovohet përmes votës së qytetarëve…”, tha ai.
Tutje, lideri i LDK-së tha se sot nuk ka asnjë peshë, asnjë ndikim apo ndryshim zhvillimet e brendshme në një parti politike.
“Nuk ka rëndësi për Kosovën se çfarë vendos Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, por çka vendos Parlamenti i lirë i Kosovës. Kohët e partive shtet kanë përfunduar”, shtoi ai.
Sipas tij, kjo lojë politike ka për synim vonesën për disa ditë dhe thellimin më të mëdha të krizave shtetërore.
“LDK konsideron se çdo zvarritje e qëllimshme e institucioneve përbën zgjatje të krizës… prandaj në këto rrethana Glauk Konjufca me mandatar të trashëguar, në rrethana të tanishme politike, duhet të jetë i sinqertë me veten më shumë sesa kryetari i tij dhe të konstatoj se nuk e ka shumicën për kryeministër”, tha ai.
“Sot zgjidhja e vetme e mbetur janë fatkeqësisht zgjedhjet e reja”, shtoi ai.
Tutje, lideri i LDK-së tha tutje se koha e organizimit të zgjedhjeve është në diskrecion të presidentes dhe beson se do ta zgjidhte një kohë të përshtatshme. /Telegrafi/
