Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, njëherit kryetar kësaj partie, Lumir Abdixiku, pasi ka votuar në shkollën “Faik Konica”, në Prishtinë, ka thënë zgjedhjet janë festë për popullin tonë.
“Faleminderit të gjithëve që po e përcillni këtë ditë festive të Republikës së Kosovës. Siç e dini, zgjedhjet janë festë për popullin tonë. Janë festë e demokracisë, e shprehjes së lirë, e vullnetit të popullit të Kosovës. Dhe tani, siç kemi dëshmuar tash e sa kohë, e fatkeqësisht shpesh kohëve të fundit, por fatmirësisht Kosova organizon zgjedhje të mira, të mbara dhe demokratike. Dhe sot presim, në këtë ditë të mirë, të bukur, të kemi dhe zgjedhje të mira dhe demokratike”, tha ai.
Ai, ka falënderuar të gjithë komisionarët dhe vëzhguesit e të gjitha partive, për të cilët ka thënë se po bëjnë punë të shkëlqyer.
“Më lejoni që në emër të LDK-së, t’i uroj gjithë komisionerët, gjithë vëzhguesit e të gjitha partive, të cilët po bëjnë punën e shkëlqyeshme në mbarëvajtjen e këtij procesi. T’i uroj Prokurorinë e Kosovës që siguron që ky proces të jetë i drejtë dhe i mbarë, Policinë e Kosovës dhe natyrisht anëtarët e KQZ-së dhe juve mediave që keni nis ditën nga mëngjesi i herët e do ta përfundoni të fundit për t’i informuar qytetarët e Kosovës”, ka shtuar Abdixhiku.
“Është ditë feste, është ditë gëzimi për Kosovën, është ditë e mirë në kohë, në mot, janë të gjitha kushtet që populli i Kosovës të vendosë fatin për katër vitet e ardhshme. Sot është një ditë, brenda 12 orëve nga ora 7 e mëngjesit deri në ora 7 e mbrëmjes, vendoset fati i Republikës për 4 vitet e ardhshme. Prandaj çdo votë ka rëndësi dhe në këtë drejtim pres pjesëmarrje masive të popullit të Kosovës”, ka deklaruar ndër të tjera Abdixhiku./EO