Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka vizituar sot familjen Rugova, me rastin e ditëlindjes së 81-të të ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Abdixhiku me këtë rast ka njoftuar edhe për zyrtarizimin e përfshirjes së Ukë Ibrahim Rugovës në garën e zgjedhjeve të radhës, si pjesë e listës zgjedhore të LDK-së.
“Në ditëlindjen e Presidentit Rugova, pranova me nderimin më të madh kërkesën e Familjes Rugova që Ukë Ibrahim Rugova të jetë pjesë e listës sonë zgjedhore. Sot, në 81-vjetorin e lindjes së arkitektit dhe prijësit tonë, vizitova zonjën Fana dhe Familjen Rugova. Në këtë vizitë zyrtarizuam dhe përfshirjen e Ukës në garën e radhës. Ukë, të priftë e mbara në këtë garë” – ka shkruar Abdixhiku.
Tutje, ai bën të ditur se me zonjën Fana biseduan edhe “për rrugën e filluar tre dekada më parë; për sakrificat e heshtura që e ndoqën; për vendosmërinë që nuk u thye asnjëherë, edhe kur Kosova ishte në udhëkryqin më të rrezikshëm të historisë së saj moderne”.
Ai shton se “edhe sot kur shteti ynë përballet me sfida të reja, mesazhi i Rugovës mbetet po ai: forcë paqësore, përkushtim demokratik, orientim të pandryshuar drejt botës perëndimore”.
“Presidenti ka vetëm ditëlindje. 81 vite më parë, më 2 dhjetor 1944, lindi Ibrahim Rugova; njeriu që e ktheu ëndrrën e lirisë në projekt politik, që e ndërtoi shtetin e përjetshëm që kemi, dhe që e vendosi Kosovën në hartën e botës si çështje të drejtë, të arsyeshme e të domosdoshme. Ai nuk ishte produkt i kohës së vet; ai ishte përpara kohës së vet. Rugova lindi në një familje të përndjekur; i mbijetoi dhimbjes së hershme, humbjes së babait dhe gjyshit, represionit e varfërisë. Por nga ai sfond i rëndë doli njeriu më i qetë, më i butë dhe njëkohësisht më i pathyeshmi që kanë njohur shqiptarët në shekullin e fundit. Nisi si studiues e intelektual. Shkolla e Istogut, e Pejës, doktoratura në Prishtinë, bashkë me studimet në Paris nën mbikëqyrjen e Roland Barthes – nuk i dhanë vetëm tituj akademikë, por formësuan mendjen që më vonë do ta projektonte Kosovën drejt Perëndimit në mënyrën më të pastër dhe më të guximshme. Kur u bë thirrja e madhe e vitit ’89, ai e la letërsinë për t’u bërë mburojë e një kombi. Nga aty lindi LDK-ja. Dhe nga LDK-ja, lindi rruga e shtetformimit modern shqiptar në Kosovë” – thekson Abdixhiku.
Kreu i LDK-së shton se “rruga e tij nuk ishte vetëm politikë. Ishte civilizim. Ishte mënyrë europiane e të menduarit. Ishte kulturë, edukim, diplomaci e urtësi. Ishte projekti i një Kosove që sot e gëzojmë të gjithë”.
“Sot, pas më shumë se tetë dekadave nga lindja e tij, ideja e Rugovës veçse po rritet. Sa herë Kosova kalon kriza, është qetësia e tij që kërkojmë. Sa herë humbasim orientim, është busulla e tij perëndimore që na rikthen në drejtim. Sa herë politika bie në zhurmë, është zëri i tij që na rikujton se shteti ndërtohet me dije, me argument dhe me durim. Kjo është arsyeja pse Rugova ka vetëm ditëlindje. Sepse drita e tij nuk fiket; historia e tij nuk harrohet; rruga e tij nuk tjetërsohet. Në këtë ditëlindje, ne kujtojmë jo vetëm shqiptarin më të madh të kohërave; kujtojmë një drejtim, një projekt, një ëndërr. Kjo ëndërr na thërret edhe sot. Kosova euroatlantike. Kosova e paqes e stabilitetit. Kosova e miqësisë së përhershme me aleat. Kosova e qytetarisë, dinjitetit dhe kulturës politike. Kjo është trashëgimia e tij. Dhe ky është zotimi ynë. I paharruar përjetë, President” – përfundoi ai.
