LAJME

Abdixhiku thërret Kuvendin e jashtëzakonshëm të LDK-së

Abdixhiku thërret Kuvendin e jashtëzakonshëm të LDK-së
TV Prizreni
TV Prizreni
27 Korrik 2026, 15:53

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku e ka thirrur për të enjten, 30 korrik, Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë.

Rreth 150 delegatët e Kuvendit të LDK-së kanë dhënë nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë me qëllim shkarkimin e kryetarit Abdixhiku.

Kërkesa për votëbesim ndaj Abdixhikut, është iniciuar pas pakënaqësive të shfaqura brenda partisë lidhur me rezultatin në zgjedhjet e 7 qershorit. LDK-ja ka dalë parti e tretë me më pak se 17 për qind të votave, që ia kanë siguruar 18 ulëse në Kuvend.

“Kryetari i LDK-së, në ushtrim të kompetencave dhe detyrimeve të përcaktuara me Statutin e partisë, ka marrë vendim për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas përfundimit të procedurave statutare të verifikimit të kërkesës së paraqitur nga delegatët e Kuvendit”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Në funksion të garantimit të rregullsisë, ligjshmërisë dhe integritetit të procesit, thuhet se Sekretariati i Përgjithshëm i LDK-së ka kryer verifikimin e të gjitha nënshkrimeve të dorëzuara, në përputhje me dispozitat e Statutit.

“Nga ky proces është konstatuar se është përmbushur kriteri statutar prej së paku një të tretës (1/3) të delegatëve të Kuvendit, të nevojshëm për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm. Në zbatim të detyrimeve statutare dhe pa asnjë vonesë pas përfundimit të procesit të verifikimit, kryetari i LDK-së ka vendosur që Kuvendi i jashtëzakonshëm të mbahet të enjten, më 30 korrik 2026, me fillim nga ora 18:00”, thuhet në njoftim.

Vendi i mbajtjes së Kuvendit dhe detajet e tjera organizative thuhet se do t’u komunikohen delegatëve në përputhje me procedurat e përcaktuara nga Statuti.

 

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika