LAJME

Abdixhiku: Qeveria duhet të procesojë me asociacion sipas Kushtetueses

Abdixhiku: Qeveria duhet të procesojë me asociacion sipas Kushtetueses
TV Prizreni
TV Prizreni
14 Janar 2023, 12:05

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se Qeveria e Kosovës duhet të procesojë tutje për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, në bazë të vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

Në një intervistë për KP, lideri i LDK-së, i kërkoi Kurtit të sqarojë pozicionin e vet para qytetarëve për ketë temë, të cilën e ka kundërshtuar në të kaluarën.

Ai përmend edhe deklarimin e fundit të Kurtit në Austri se asociacioni mund të jetë pjesë e marrëveshjes në kuadër të planit franko-gjerman për dialogun.

“Në vizitën në Austri ku bëhet një pranimi që (asociacioni) të jetë pjesë e marrëveshjes dhe mund të jetë pjesë e marrëveshjes. Dhe e dyta në deklaratën e Borrell në mbrëmjen e marrëveshjes së targave ku specifikisht thuhet se palët janë pajtuar që të zbatojnë gjitha marrëveshjet paraprake. Për LDK-në këto qëndrime nuk janë qëndrime të reja këto, pasi ne konsiderojmë se gjitha marrëveshjet paraprake duhet të implementohen brenda kushtetutshmërisë së Kosovës”.

Tutje, Abdixhiku tha se kërkesa për themelimin e asociacionit është e ShBA-së dhe “njerëzve që e donë Kosovën përnjëmend”.

“Ne kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe në bazë të tij duhet të procesojmë tutje. Tani i takon udhëheqësve shtetëror që të bëjnë këtë procesim tutje”, është shprehur Abdixhiku, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, ai thotë se i takon qeverisë që të përcaktojë fatin e vet politik, teksa shtoi se në parlament janë partia e tretë me numër të deputetëve ku siç tha “nuk mund të ndryshojmë shumicën në vend”.

“I takon qeverisë që të bëjë zgjidhje, nëse nuk është e aftë të jep një zgjidhje dhe vendos të largohet prej detyrave të tyre kushtetuese, ne nuk mund të ndryshojmë fatin e një vendimi të tillë. Por në pushtet je për të marrë vendime dhe shtyrë agjenda ndërkombëtare dhe vendore, por që përputhen të dyja  bashkërisht”, është shprehur Abdixhiku.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika