Çmimi i derivateve të naftës sot në Kosovë ka pësuar sërish ngritje, ku një litër naftë po shitet 1.90€.
Për këto ngritje të çmimeve të naftës ka reaguar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Abdixhiku ka thënë se çmimi i naftës sot ka shënuar rekord të ri, ku sipas tij mosveprimi i këtyre çmimeve të ngritura është krim.
Tutje, Abdixhiku ka njoftuar se LDK-ja sot do të dorëzoj në Kuvend kërkesën për debat parlamentar dhe rezolutën e njëjtë si para 100 ditë më parë për reduktim të akcizës në derivate.
“Sot, dorëzojmë në Kuvend kërkesën për debat parlamentar dhe rezolutën tonë me kërkesë të njëjtë si 100 ditë më parë. Po të vepronim me kohë, papërballueshmëria jonë do të ishte më e lehtë, po s’vepruam sot, do të bëhet edhe më e thellë”, ka shkruar ai në Facebook.
Postimi i plotë i tij:
Sot, bëhen 100 ditë nga propozimi ynë i parë për reduktim të akcizës në derivate e reduktim të TVSH-së në produkte esenciale. Ky propozim është refuzuar e po refuzohet nga pushteti arrogant i Kurtit.
Çmimi i naftës këtë mëngjes shënon rekord të ri prej 1.90 eurove për litër; derisa inflacioni i gjithëmbarshëm ka arritur në plot 13%. Në këtë krizë të paprecedentë, mosveprimi është krim!
Sot, dorëzojmë në Kuvend kërkesën për debat parlamentar dhe rezolutën tonë me kërkesë të njëjtë si 100 ditë më parë. Po të vepronim me kohë, papërballueshmëria jonë do të ishte më e lehtë, po s’vepruam sot, do të bëhet edhe më e thellë.