Kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, sonte ka thënë se pret që vendimin për t’ia bërë korumin kandidates për presidente Vjosa Osmanit ta respektojnë të gjithë deputetët e kësaj partie, shkruan IndeksOnline.
Abdixhiku tha që deputetët e LDK-së duhet të jenë në një vijë më partinë.
“Dje kishim një takim me kryesinë e LDK-së dhe kemi pasur një debat që ka zgjatur 3 orë.
Debat shterrës, me argumente dhe pas debatit kemi pasur një proces votimi ku kryesia ka vendos që LDK-ja të mbështes idenë që të merr pjesë në seancë dhe të krijoj qasje konstruktive.
Sot e kemi zgjeruar edhe me grupin parlamentar. Në këtë debat të sotëm i diskutuam aspektet me pikëpamje të ndryshme.
Kam kërkuar që çdo deputet i LDK-së të respektoj vendimin e kryesisë.
I kuptoj brengat dhe dyshimet që secili i ka, nuk bëhet fjalë për vendime të lehta por ne në politike jemi për vendime të vështira.
Deputetët e LDK-së të jenë në vijë me partinë. Besoj dhe jam i bindur që sjellje të tilla duhet të tregojnë të gjithë”, tha ai në Debat Plus.
Abdixhiku ka thënë se një parti duhet të ketë unitet.
“Nëqoftëse nuk kemi unitet i bëjmë dëm partisë tonë, do bëj përpjekje çdo ditë që të kemi unitet.
Nuk jam i mendimit që kemi njerëz për të humbur, LDK nuk ka njerëz të mjaftushëm për të ecur përpara.
Kemi punë organizative të mëdha, kemi nevojë të jemi një opozitë. Në këtë vijë duhej të ishim të bashkuar, unë po provoj të ndërtoj një unitet që të respektoj mendimin e shumicës, nëqoftëse ka mendime të ndryshme e kuptoj por s’mund ta kuptoj vendimin ndryshe kundër shumicës”, tha ai.