LAJME

Abdixhiku: Po tentojmë t’i shmangim zgjedhjet, LDK duhet të ndihet e përfaqësuar në institucione

Abdixhiku: Po tentojmë t’i shmangim zgjedhjet, LDK duhet të ndihet e përfaqësuar në institucione
TV Prizreni
TV Prizreni
4 Gusht 2026, 19:37

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se partia e tij do të vazhdojë përpjekjet për të shmangur zgjedhjet e reja, pas takimit që zhvilloi me kryeministrin në detyrë dhe kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Abdixhiku tha se ky ishte takimi i dytë mes tyre pas zgjedhjeve dhe se LDK-ja synon që të respektojë vullnetin e qytetarëve dhe të kontribuojë në formimin e institucioneve.

“Ky ishte takimi i dytë pas zgjedhjeve. Lidhja Demokratike po tenton që t’i shmangë zgjedhjet, të katërta në dy vite, dhe po mundohet që të respektojë vullnetin e qytetarëve”, tha Abdixhiku.

Ai bëri të ditur se do të ketë përpjekje për takime të tjera në ditët në vijim.

“Do të përpiqemi edhe në ditët në vazhdim që të takohemi edhe të tentojmë të kemi institucione. Andaj LDK-ja duhet të ndihet e përfaqësuar në institucione”, deklaroi ai.

Sipas Abdixhikut, nëse nuk arrihet një rezultat nga këto përpjekje, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja.

“Do të tentojmë të takohemi. Por, nëse nuk kemi rezultat, atëherë do të ishte një lajm i keq për popullin, pasi do të duhet që të shkojmë në zgjedhje”, tha ai.

Abdixhiku theksoi se gjatë takimit nuk është diskutuar për emra konkretë, ndërsa përmendi edhe 6 gushtin si afat të rëndësishëm për zhvillimet institucionale.

“Nuk kemi folur për emra konkretë. Në qoftë se nuk kemi rezultat deri më 6 gusht, atëherë duhet të vazhdohet me konstituimin e Kuvendit. LDK-ja do ta japë emrin e kryetarit të Kuvendit, andaj do të shikojmë për zgjidhje të tjera”, tha Abdixhiku./Telegrafi/

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika