Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes së Rugovës, me rastin e ndarjes nga jeta të ish-nënkryetarit të LDK-së, njëherësh edhe ish-kryetarit të komunës së Istogut, Haki Rugova.
“E nderuara familje Rugova, me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-nënkryetarit të LDK-së, ish-kryetarit të komunës së Istogut e të më të dashurit tuaj, Haki Rugova.
Haki Rugova ishte një personalitet dhe veprimtar i dalluar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke dhënë shembullin e përkushtimit dhe kontributit të jashtëzakonshëm në shtetndërtimin e Kosovës. Ai gjatë gjithë jetës u angazhua pandalshëm në proceset e vështira nëpër të cilat kaloi Kosova. Për më shumë se tre dekada qëndroi i palëkundur në veprimtarinë e tij atdhetare e politike dhe do të mbetet model i njeriut të urtë e punëtor, i afërt dhe bashkëpunues.





