LAJME

Abdixhiku mirëpret dekretin për shpërndarjen e Kuvendit: Zgjedhjet ishin të panevojshme

Abdixhiku mirëpret dekretin për shpërndarjen e Kuvendit: Zgjedhjet ishin të panevojshme
TV Prizreni
TV Prizreni
6 Mars 2026, 10:29

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mirëpritur dekretin e presidentes së vendit për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, duke e vlerësuar si një veprim në mbrojtje të rendit kushtetues dhe funksionimit të institucioneve.

Në një reagim në Facebook, Abdixhiku tha se partia që ai drejton mbështet qëndrimin e presidentes Vjosa Osmani, duke theksuar se vendimi i saj tregon përgjegjësi dhe qartësi kushtetuese.

Sipas tij, zhvillimet politike që çuan në këtë situatë nuk mund të prodhojnë, siç u shpreh ai, debate artificiale apo zvarritje procedurale që do ta vendosnin vendin jashtë rregullave institucionale.

Ai shtoi se LDK është e gatshme të marrë pjesë në konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe t’u drejtohet qytetarëve për një zgjidhje të re demokratike.

Abdixhiku theksoi gjithashtu se zgjedhjet nuk kanë qenë alternativa e preferuar e LDK-së, duke i cilësuar ato si të panevojshme dhe të shmangshme. Megjithatë, sipas tij, përpjekjet për kapje njëpartiake të pozitave shtetërore penguan çdo mundësi kompromisi politik.

“Në demokraci, fjala e fundit gjithmonë i takon sovranit”, u shpreh Abdixhiku, duke theksuar se vendimi përfundimtar tashmë u takon qytetarëve të Kosovës.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika