Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në vazhdën e takimeve me anëtarë dhe struktura të partisë së tij nëpër komuna, sot, kishte zgjedhur që ta vizitojë Malishevën dhe Obiliqin. Me këtë rast, ai iu dha mbështetje të fuqishme kandidatëve për kryetar të komunës si dhe atyre për asamble komunale.
“LDK-ja është e përhershme, ndërsa ju jeni shpirti i saj. Ju flisni e ne ju dëgjojmë. Atë që ju e thoni ne e shndërrojmë në përmbajtje finale, e të njëjtën e konsiderojmë si udhërrëfyes drejt fitores sonë”, u tha Abdixhiku bashkëpartiakëve.
Sa i përket komunës së Malishevës, ai tha se ky vend i ka të gjitha; i ka njerëzit e zellshëm dhe punëtorë, i ka resurset e shumta e me potencial zhvillimi, ndërsa, shtoi ai, ne e kemi planin dhe ekipin e duhur, i cili do të udhëheqë me dije e nderë, ashtu siç i ka hije një pushteti të mirë.





