Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka bërë të ditur se Lidhja Demokratike e Kosovës do të marrë pjesë në grupin punues të formuar për mbështetjen përmes një strategjie shtetërore të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në shkallën e Apelit.
Qeveria ka formuar grup punues për hartimin dhe bashkërendimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e Apelit para Dhomave të Specializuara në rastin e katërshes së UÇK-së. Grupi do të kryesohet nga zëvendëskryeministri Glauk Konjufca.
Abdixhiku ka thënë se i ka propozuar shefes së grupit parlamentar që në këtë grup të marrë pjesë deputeti, Kujtim Shala.
“Po natyrisht, do të marrim pjesë. I kërkova shefes së grupit parlamentar që të propozoj akademik, Kujtim Shalën. Nëse akademik, Kujtim Shala nuk mund të marrë pjesë, atëherë me siguri do jetë vetë Jehona Lushaku Sadriu. Çdo përpjekje e përbashkët kombëtare është e mirëseardhur, për aq sa nuk i mashtrojmë qytetarët e Kosovës me iniciativa që s’kanë efekt juridik, gjithçka tjetër është e pranueshme”, ka thënë Abdixhiku. /EO/