LAJME

Abdixhiku: LDK e respekton plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Abdixhiku: LDK e respekton plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese
TV Prizreni
TV Prizreni
25 Mars 2026, 19:15

Lidhja Demokratike e Kosovës e respekton plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili konstaton se dekreti i presidentes Vjosa Osmani i datës 06.03.2026 për shpërndarjen e Kuvendit nuk prodhon efekt juridik.

Sipas Lumir Abdixhikut, kreut të LDK-së, partia e tij e konsideron këtë vendim udhërrëfyes për veprimet e mëtejshme politike.

Abdixhiku ka vlerësuar po ashtu se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka sjellë qartësi të nevojshme në një moment të rëndësishëm institucional për vendin.

“Ky vendim nuk krijon epërsi për askënd. Ai e rikthen procesin në Kuvendin e Republikës dhe u jep deputetëve edhe një afat për të përmbushur detyrimin për zgjedhjen e Presidentit.

Në këtë fazë, siç kemi theksuar vazhdimisht, përgjegjësia kryesore mbetet te shumica parlamentare. Ajo ka pasur kohën dhe mundësinë për ta përmbyllur këtë proces dhe është detyrë e saj të ofrojë zgjidhje. Siç tashmë është e qartë, pa votat e shumicës, ky proces nuk mund të përmbyllet.” – ka shkruar Abdixhiku në Facebook, më 25.03.2026.

Ai thotë se LDK beson se çështje të tilla nuk zgjidhen me imponim, por me marrëveshje politike ndërmjet forcave përfaqësuese.

“Presidenti i Republikës duhet të jetë figurë bashkuese, që reflekton unitet, garanton balancë institucionale dhe nuk është zgjatim i shumicës. Në këtë frymë, LDK mbetet e gatshme të kontribuojë në çdo përpjekje serioze për zgjidhje, që garanton stabilitet dhe funksionim normal të institucioneve. Por, njëkohësisht, nuk do të bëhet alibi e dështimeve të askujt.” – ka shtuar Abdixhiku.

Kurse, sa i përket veprimeve të presidentes Osmani, përfshirë dekretin e saj, ai thotë se “kanë qenë në funksion të ruajtjes së rendit kushtetues dhe të shmangies së një vakuumi institucional, në një situatë të paqartë juridike.”

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese përveç se nuk konstaton ndonjë shkelje kushtetuese, ofron interpretimin përfundimtar rreth kësaj çështjeje, interpretim i cili duhet të respektohet nga të gjithë. Republika ka rregullat e saj. Dhe ato kërkojnë përgjegjësi, maturi dhe vendimmarrje në përputhje me interesin e përgjithshëm.” – ka thënë ai.

Në rast të mungesës së një marrëveshjeje politike për 34 ditët e ardhshme, siç është caktuar nga Gjykata Kushtetuese si afat për zgjedhjen e presidentit, Abdixhiku thekson se Lidhja Demokratike e Kosovës do të hyjë e bashkuar dhe e përgatitur në çdo proces të ri zgjedhor, me besimin për të ofruar zgjidhje të reja për vendin.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës publikoi më 25.03.2026 aktgjykimin lidhur me kërkesat e bashkuara në rastet KO72/26, të parashtruar nga kryeministri Albin Kurti në emër të Qeverisë, dhe KO74/26, të parashtruar nga Arbërie Nagavci dhe 30 deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës, rreth kushtetutshmërisë së dekretit të datës 06.03.2026 të presidentes Vjosa Osmani lidhur me shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika