Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka marrë sot pjesë në Kuvendin e XI zgjedhor të Partisë Shqiptare Demokristiane. Ai ka njoftuar edhe për lidhjen e bashkëpunimit mes dy partive për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka njoftuar se PSHDK në zgjedhjet e 9 shkurtit do të jetë pjesë e listës së LDK-së.
Abdixhiku ka folur për bashkëpunimin e ngushtë që kanë dy subjektet politike dhe ka shtuar se udhërrëfimi i përbashkët gjendet në vizionet e presidentit Rugova dhe akademikut Mark Krasniqi.
“I urova delegatët për punimet e Kuvendit; dhe ritheksova e rikujtova bashkëpunimin e ngushtë që subjektet tona kanë patur në tre dekada e gjysmë veprim. Në vizionet e Presidentit Rugova e bashkëpunëtorit të tij të ngushtë Akademik Mark Krasniqit, gjejmë dhe udhërrëfimin tonë të ardhshëm; të një Kosove të pavarur e sovrane, të anëtarësuar në NATO e Bashkim Evropian e me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. PSHDK, në zgjedhjet e 9 shkurtit, do të jetë pjesë e listës së LDK-së, duke i dhënë të djathtës sonë gjithë mbështetjen e nevojshme”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.