Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur edhe një herë ofertës së kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se do ta propozojnë Vjosa Osmanin për presidente nëse Lëvizja Vetëvendosje i garanton 66 vota për të.
Në një shkrim në Facebook të shtunën, Abdixhiku thekson se Kurti duhet të vendosë nëse synon bashkëpunim me LDK-në apo sigurimin e 90 votave në Kuvend edhe me përfshirjen e PDK-së. Sipas tij, nëse opsioni i dytë mbetet i vetmi, atëherë LDK-ja nuk mund të ofrojë mbështetje.
“I nderuar Kryeministër Kurti, meqë po komunikojmë në distancë, ku lutem përcaktohuni a doni marrëveshje politike me LDK-në, apo i doni 90 vota edhe me PDK-në. Nëse është kjo e dyta dhe nuk mundeni pa ta, atëherë nuk mund t’ju ndihmojmë. Kur të merreni vesh, e trajtojmë”, ka shkruar ai.
Por në rast se Kurti do marrëveshje me LDK-në, Abdixhiku është shprehur i gatshëm ta propozojë emrin e Osmanit për presidente nëse VV-ja i garanton votat për të.
“Por, nëse doni marrëveshje politike me LDK-në, atëherë flisni me ne. Presidentin e propozojmë ne me plot pergjegjësi. Mund ta propozojmë edhe Vjosa Osmanin, nëse na i garantoni 66 vota për të”, ka shkruar tutje kryetari i LDK-së.
Gjatë ditës së sotme, Lëvizja Vetëvendosje ka ftuar dy partitë më të mëdha opozitare, Partinë Demokratike dhe Lidhjen Demokratike, që të dalin me tre emra të përbashkët, jo partiakë dhe unifikues, për president deri të dielën në mbrëmje. Partia më e madhe është zotuar se do t’i tërheqë kandidaturat dhe do t’ua ofrojë nënshkrimet PDK-së e LDK-së për propozimet e tyre. Deri tash, PDK-ja ka bërë të ditur se e refuzon propozimin.