Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, deklaroi se Kosova gjendet në një moment kritik, e për këtë, sipas tij, përgjegjës është kryeministri Albin Kurti.
Ai tha para mediave të martën se mbetet të shihet se çfarë pasoja do të ketë Kosova nga delegacionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe të NATO-s që gjenden në vend.
Abdixhiku shtoi se është shqetësuese situata e relacioneve të Kosovës me aleatët e saj.
“Jemi në një situatë shqetësuese për Republikën e Kosovës dhe për më tepër të paqartë. Shqetësuese për shkak të gjendjes se relacioneve që Kosova i ka me aleatët e saj, e të paqartë për shkak të mungesës së planit dhe gatishmërisë së kryeministrit të Kosovës për dakordim me aleatët. Në këtë fazë Kosovës i mbetet të sheh dhe pasojat që mund të vijnë nga një delegacion tillë, nga SHB-ja, BE-ja dhe nga NATO-ja. Një gjendje të tillë e kemi vështirë ta pranojmë si LDK, si parti politike opozitare me numër të kufizuar të deputetëve në kuvend. Veprimet tona do të jenë publike…Shpresoj të reflektojë i njëjti (kryeministri Kurti)”, shtoi ai.
Deputeti i partisë opozitare theksoi se edhe presidentja Vjosa Osmani duhet të jetë më e zëshme dhe më e qartë për Kosovën, ndërsa tha se LDK-ja s’është e interesuar për beteja politike.
“S’jemi të interesuar për beteja politike. Jemi të shqetësuar për gjendjen në veri dhe jemi të shqetësuar për rrugën që duhet ta kemi përpara bashkë me aleatët”.