Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i është kundërpërgjigjur kryeministrit Albin Kurti i cili kishte thënë se “nuk mund të blinin energji elektrike dhe ta konservonin në frigorifer”.
Ai, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për masat emergjente për furnizim me energji, tha se nëse Kurti si inxhinier nuk e di se çmimet e energjisë elektrike kontraktohen duhet ta kthejë diplomën në universitet.
“Sot pas një dekade furnizimi stabil kur terri, reduktimet e agregatët na u kthyn dhe bizneset po e ndalin prodhimin se s’kanë rrymë kryeministri jonë na thotë se rryma nuk blihet sepse nuk konservohet në frigorifer. Për këtë merreni me mend sikur për çdo dështim tjetër të tij fajtorë janë krejt, përveç tij që është në pushtet. Një kryeministër që me profesion inxhinier ka zgjedhur populizmin si mjet. Kjo tani është më shumë se padituri, është krizë e tij, e qeverisë së tij dhe e gjithë vendit që drejton. Jam i bindur se e din dhe nëse nuk e din si inxhinier ta kthejë menjëherë diplomën në universitet, se çmimi i rrymës kontraktohet, rezervohet. Çmimet fiksohen, se sikurse grurin, naftën e çdo mall tjetër në treg mund të blesh edhe energji elektrike me çmime që nuk ndryshojnë. Për të bërë një gjë të tillë duhet të veprosh në kohë, dhe jo i fundit në Evropë.
Abdixhiku deklaroi se kriza energjetike ka bërë që Kosova të përmendet për të keq në mediat ndërkombëtare.
“Kosova është në krizë energjetike, në terr, reduktime, agregatë e qirinj – aq krizë sa bëri lajm për të keq sërish në media ndërkombëtare. E kur bëhesh lajm për të keq në media ndërkombëtare do të thotë se kriza këtu është më e dalluar. Të gjitha vendet e Evropës janë përballur e po përballen me krizën energjetike sot. Shkurtimet në furnizim me gaz, rritja e çmimeve të thëngjillit dhe rritja e konsumit të gjithëmbarshëm gjatë dimrit e ka vendosur secilin shtet evropian në nivele më të larta konsumi sesa prodhimi. Në Evropë shtetet po konsumojnë më shumë energji sesa prodhojnë, prandaj edhe duhet të blejnë energji, pra importojnë. Te të gjitha këto vende furnizimi me energji elektrike bëhet kryesisht prej kompanive private, pra natyra publike ose private e furnitorëve nuk e diferencon sasinë e furnizimit. Sasinë e furnizimit në Evropë e diferencon angazhimi i qeverive, sepse ato nuk janë spektatore, edhe më pak ankuese”.
I pari i LDK-së ka thënë se qeveria e Kosovës ka reaguar me gjashtë muaj vonesë karshi krizës energjetike, ndryshe nga krejt vendet evropiane dhe ato fqinje.
“Çdo qeveri në Evropë, nga fqinjët tanë në Shqipëri e Maqedoni të Veriut deri ato në Francë e Gjermani, janë marrë me urgjencë me temën e energjisë në momentin kur ka pasë krizë, në korrik të vitit 2021. Vetë qeveritë në momentin e parë të krizës kanë filluar me lehtësim, me çmimin e sasisë së furnizimit dhe përballjen e qytetarëve të tyre me mungesë furnizimi të energjisë. Nuk kanë hedhur faj, nuk janë ankuar për kapacitetet që edhe ata nuk i kanë, por kanë vepruar shpejt. Sepse kanë vepruar shpejt kanë bërë edhe zgjidhja, prandaj të gjitha këto shtete sot i furnizojnë qytetarët e tyre me energji dhe ngrohje, derisa Kosova nuk mund të ofrojë furnizim bazik dhe bëhet lajm ndërkombëtar”.
“Nuk bëhet lajm ndërkombëtar Shqipëria e Maqedonia e Veriut, por Kosova, sepse këto dy të parat gjendjen e emergjencës e kanë shpallur në tetor të këtij viti kur çmimet ishin më lirë dhe kriza ishte më e lehtë. Këto dy shtete fqinjë si çdo qeveri tjetër e përgjegjshme në Evropë janë marrë më krizë, aq në detaje sa njëra prej tyre ka blerë thëngjill prej Kosovës. Ne jemi sot në dhjetor, katër ditë pa përfunduar viti dhe gjashtë muaj pas nisjes së krizës dhe tre muaj pasi vendet e rajonit janë marrë me këtë krizë, dhe kemi nisur të dëgjojmë masat e qeverisë. Nuk është parapërgatitje, por menaxhim i krizës dhe kur menaxhon krizë nuk mund të kesh rezultat të mirë”.
https://www.facebook.com/FrontOnlineMedia/videos/2993339154259602