Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka ritheksuar siç ka thënë qëndrimin e LDK-së se vendi ka nevojë për institucione funksionale, stabilitet politik dhe përgjegjësi shtetërore, në shërbim të qytetarëve.
Abdixhiku ka njoftuar se këto komnete i ka barë në takimin që të hënën e ka zhvilluar me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph.
“Diskutuam për zhvillimet e fundit politike në vend dhe domosdoshmërinë e konstituimit sa më të shpejtë të institucioneve të Republikës së Kosovës. Ritheksova qëndrimin e LDK-së se vendi ka nevojë për institucione funksionale, stabilitet politik dhe përgjegjësi shtetërore, në shërbim të qytetarëve”, ka shkruar Abdixhiku në një postim në Facebook.
Ai ka thënë se ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë Kosovës ndër vite dhe ka vlerësuar partneritetin e ngushtë ndërmjet dy vendeve, siç ka thënë, si një shtyllë të rëndësishme të zhvillimit demokratik dhe rrugëtimit evropian të Republikës së Kosovës.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e ka caktuar 6 gushtin si datë për mbajtjen e mbledhjes konstituive të Kuvendit, ku pritet të konsituohet legjislatura e dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit.
Rreth dy javë më parë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njoftoi për ndërprerjen e angazhimeve për formimin e institucioneve të Kosovës, e të cilat i pati bërë në kuadër të bisedimeve të nisura me Kurtin. Këtë vendim Abdixhiku e mori pas nismës për shkarkimin e tij nga posti i kryetarit të partisë.
Zyrtarë të LDK-së kanë theksuar se mbledhja do të thirret para datës 7 gusht, kur përfundon afati për konstituim të Kuvendit, por deri tash nuk është konfirmuar data për të.
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, të hënën ka komentuar pozicionet e dy partive më të mëdha opozitare lidhur me formimin e institucioneve.
Në një konferencë të hënën, Konjufca ka thënë se bazuar në takimet e kryetarit të VV-së Albin Kurti me ata të partive opozitare, është parë se PDK-ja nuk ka ndryshuar qëndrim lidhur me bashkëpunimin, kurse LDK-ja ka shfaqur gatishmëri të madhe për t’i dhënë fund krizës politike.
Diskutimet VV-LDK janë ndërprerë tash e disa ditë, pasi një grup delegatësh të LDK-së kanë mbledhur nënshkrimet për thirrje të Kuvendit të partisë për shkarkim të kryetarit Lumir Abdixhiku.
Konjufca nuk ka dashur të komentojë këtë proces, por ka shprehur pritjen që do të përfundojë shpejt.