Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë thirrje për bashkim të institucionalistëve, mbështetësve të Republikës dhe të gjithë udhëtarëve të rrugës euroatlantike, duke theksuar nevojën për tejkalimin e dallimeve dhe përqendrimin në të ardhmen e vendit.
Abdixhiku ka thënë se të gjithë këta kanë një shtëpi të përbashkët – Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Ai ka paralajmëruar se do të nisë një proces të bashkimit politik dhe qytetar rreth një projekti të përbashkët, që sipas tij duhet të tejkalojë dallimet, ambiciet personale dhe hidhërimet e së kaluarës.
“Ato në kohë krizash e përballë fateve të mëdha të së ardhmes, bëhen krejtësisht të parëndësishme” – ka shkruar ai të enjten në Facebook.
Kreu i LDK-së shtoi se krizat e vazhdueshme politike dhe përplasjet e brendshme po e dëmtojnë vendin, duke theksuar se Kosovës i duhet një qasje e re politike që bashkon shoqërinë, stabilizon jetën institucionale dhe e forcon orientimin drejt Perëndimit.
“Dramat e sotme, krizat e përvitshme dhe fajësimet e pandalshme po e shterojnë Kosovën. Vendit i duhet një tjetër rrëfim. Një rrëfim që bashkon, që normalizon jetën politike, që zhvillon shtetin dhe e ankoron përgjithmonë në Perëndim” – thekson tutje Abdixhiku.