Kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se bashkimi i partisë që drejton për zgjedhjet e 7 qershorit është “antidot” për gjendjen politike në të cilën, sipas tij, ka rrëshqitur Kosova. Ai ka konfirmuar se Kryesia e ka mbështetur propozimin e tij që bartëse e listës së LDK-së të jetë ish-presidentja Vjosa Osmani, e cila njëkohësisht do t’u prezantohet qytetarëve edhe si kandidate për presidente. E Abdixhiku ka thënë se do të jetë kandidat për kryeministër.
Në deklarimin e tij në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së ku do të vendoset përfundimisht për bashkimin me Osmanin, Abdixhiku ka thënë se procesi i bashkimit të LDK-së nuk ka të bëjë me interesa personale apo kalkulime elektorale, por me përgjegjësi politike ndaj shtetit. U zotua se do ta bashkojë të gjithë LDK-në.
“Askush nuk e ka luksin e hatërmbetjeve. Askush nuk ka të drejtë ta vendosë veten mbi nevojën që ka Republika për një LDK të fortë”, u shpreh ai.
Ai theksoi se partia po synon të garojë me një listë të përbashkët në zgjedhje, duke e cilësuar këtë si përpjekje për rikthim të ekuilibrit institucional në vend.
Abdixhiku u shpreh se në këtë listë përfshihen figura që mund të kontribuojnë në stabilitetin politik.
Sipas tij, LDK-ja po del me kandidaturë për president pasi thelbi i krizës aktuale është pikërisht presidenti i ri.
“Kosova nuk po shkon në zgjedhje për mungesën e shumicës, për shkak të moszgjedhjes së presidentit. Ky është thelbi i krizës sonë aktuale. Qytetarët kanë të drejtë të dinë jo vetëm kush kërkon të qeverisë, por edhe kush kërkon ta përfaqësojë shtetin si presidente. Kanë të drejtë ta dinë pse prodhuan krizë këto zgjedhje. Para se të ketë qeveri të re, Kosova duhet të ketë president të ri. Përballë këtij realiteti, nuk mund të fshihemi. Duhet t’i japim qytetarëve qartësi politike që sot, t’i japim zgjidhje që sot dhe ta përcaktojnë me votë dhe t’i ndërprenë dëshirat e destabilizuesve. Po dalim para qytetarëve me ofertë të plotë”, shtoi Abdixhiku.
Ai kritikoi gjendjen e zgjatur të ushtruesve të detyrës në institucione, duke thënë se kjo situatë po dëmton funksionimin normal të shtetit.
Sipas tij, LDK-ja ka qenë konstruktive në proceset politike dhe ka ofruar zgjidhje për stabilitet institucional, por përballë saj ka pasur “një mendësi që nuk kërkonte zgjidhje”.
“LDK-ja mbajti qëndrim konstruktiv, ofroi alternativa dhe ishte e gatshme për marrëveshje politike”, ka potencuar ai, duke shtuar se partia e tij do të vazhdojë të synojë stabilitet dhe orientim perëndimor për vendin./koha.net/