Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se Qeveria Kurti ka dështuar në tri vjet qeverisje, duke thënë se në këtë periudhë s’ka pasur projekte madhore, arritje kapitale e as forcim të shtetësisë.
Ai ka shkruar në Facebook të dielën se Qeveria po mburret me njohje pasaportash, mirëpo s’ka pasur asnjë njohje në tri vjetët e fundit.
“Njohja e fundit ishte nga Izraeli, 3 vite më parë; pa ta! Asnjë njohje, asnjë anëtarësim! Sanksione e mbi 300 milion euro humbje nga ky izolim! Mburren me mbledhjen e faturave në veri nga ‘ELEKTROSEVERI’, kompani në pronësi të shtetit të Serbisë. Ka mbi 7 vite që kanë kundërshtuar këtë marrëveshje madje dhe me protestë. Sot marrëveshjen e njëjtë e trumpetojnë si histori”, ka shkruar Abdixhiku.
Sipas kryetarit të partisë opozitare, Qeveria me kryeministrin Albin Kurti po mburret edhe me liberalizim, që sipas Abdixhiku, Lëvizja Vetëvendosje e kishte ndërprerë “me dhunë qysh në vitin 2016”.
“Asokohe, Kosova, Ukraina dhe Gjeorgjia ishin në një paketë. 7 vite të humbura për një kauzë që e kanë harruar tashmë. I thonë demarkacion. Këto 3 vite janë të humbura në plotni. Pa projekte madhore, pa arritje kapitale, pa forcim të shtetësisë ndërkombëtarisht”, ka shtuar ai, duke potencuar se “Kosova meriton shumë më mirë”./KOHA/