Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë Nicholas Abbott, ka vizituar të hënën Administratën Tatimore të Kosovës. Abbott në këtë vizitë të fundit në mandatin e tij, ka shprehur vlerësimin e thellë për bashkëpunimin e ngushtë dhe konstruktiv me autoritetet tatimore të Kosovës gjatë këtyre viteve.
Ai tha se Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar ka punuar në mbështetjen dhe fuqizimin e kapaciteteve profesionale dhe teknike të hetimeve tatimore, të cilat janë në interes të luftimit dhe parandalimit të shmangieve tatimore, si dhe të përmirësimit të mjedisit të biznesit dhe krijimit të mundësive të reja për investime.
“Gjatë kësaj vizite, ambasadori Abbott ka dhuruar një dron dhe pajisje tjera profesionale që do të ndihmojnë për përmirësimin e efikasitetit dhe kapaciteteve të Administratës Tatimore të Kosovës. Ky veprim shënon përkushtimin e vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar për të ndihmuar në avancimin e strukturave dhe proceseve hetimore në vend”, njofton ATK .





