Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka thënë se nuk duhet të lejuar mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, e që për këtë thotë se Kosova ka vendosur standard të ri.
Abazi në emisionin ‘dPt te Fidani’ në T7 thotë se vetëm institucionet e Kosovës vendosin se kush mund të mbajë zgjedhje brenda territorit.
“Argumentimi që Serbia mund ta përdor atë si pretekst, është argumentim që e ka përdore kemi dëgjuar në të kaluarën e ka arsyetu pse janë leju me u mbajt. Është argumentim bajat. Mbajtja e referendumit kanë përcaktu standard të ri. SHBA-të dhe shtetet e BE-së e kanë përshëndetur dhe përkrahur vendimin e Qeverisë dhe të kryeministrit për këtë, është vendosur standard i ri që brenda Kosovës vetëm institucionet e Kosovës vendosin se kush mund të mbajë zgjedhje në bazë të ligjeve dhe rregullave që janë të përcaktuara këtu.
Askush nuk është i gatshëm të merr përgjegjësinë për me ja ndalu dikujt të drejtën me votu. Por në anën tjetër, të gjithë institucionet e Kosovës janë të gatshëm për ta respektuar ligjin dhe Kushtetutën e vendit. Serbia është shtet fqinj mund të bëjë kërkesë shtetit e Kosovës për organizimin e zgjedhjeve”, tha Abazi.
Ai madje tha se zgjedhjet ilegale të Serbisë në Kosovë nuk do të pranoheshin nga askush.
“Nuk përdoret si argument për shkak se vet opozita serbe do ta konsideronte ilegale dhe keqpërdorim të votës nëse Vucic do të tentonte në mënyrë ilegale për të mbajtur zgjedhje në Kosovë. Zgjedhjet ilegale të Serbisë në Kosovë nuk do të pranoheshin nga askush. Manipulimi i votave të serbëve lokalë të Kosovës ka përfunduar si periudhë sepse gjithçka që vendoset brenda territorit e Kosovës vetëm institucionet e Kosovës janë ato që mund të legjitimojnë edhe të bëjnë sipas rregullave dhe praktikave ndërkombëtare dhe kushtetutës së vendit”, tha Abazi.