LAJME

Abazi thotë se ekzistojnë video që tregojnë “kush i zhduki mostrat e rastit Dehari”

Abazi thotë se ekzistojnë video që tregojnë “kush i zhduki mostrat e rastit Dehari”
TV Prizreni
TV Prizreni
16 Shkurt 2023, 10:57

Haki Abazi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka akuzuar rëndë partinë e tij në pushtet, duke thënë se ekzistojnë video-incizimet ku shihet se kush i ka zhdukur mostrat e aktivistit Astrit Dehari. Ka thënë se kryeministri Albin Kurti e të tjerë duhet të merren në pyetje nga Prokuroria për rastin.

Mostrat e Deharit u zhdukën në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pati thënë se ky veprim ka për qëllim që të dështojë përfundimisht procesi hetimor për vdekjen e Deharit. U pezulluan nga puna katër zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML). Por Abazi pretendon se IML-ja është nën vëzhgim të kamerave 24 orë, dhe sipas tij, dihet qartë se kush ka hyrë brenda frigoriferit për t’i nxjerr mostrat.

Në konferencë, Abazi ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka kërkuar shkarkimin e tij nga posti i kryetarit të Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme.

“Video-incizimet janë ato që duhet t’i kërkoni për të konfirmuar se kush i ka zhdukur mostrat e Astrit Deharit. Hulumtimi im i fundit ka sjell te shkarkimi nga posti i kryetarit të Komisionit të Jashtëm dhe anatetimi brenda Vetëvendosjes. Shkarkimi im është minor kundrejt borxhit për të marrë vesh se çfarë ka ndodhur me rastin Dehari. Si është e mundur që në pushtetin e VV-së të zhduken mostrat e Deharit dhe kryeministri Kurti të mos ta thotë asnjë fjalë. Ne si shoqëri, si deputet, nuk mund të rrimë të heshtur përballë një procesi të këtillë. Ne duhet ta kryejmë punën tonë për ta kryer këtë deri në fund. Dihet qartë se kush ka hyrë te frigoriferi e ka nxjerr mostrat që kanë qenë të vendosura nën mostrat e tjera. IML-ja është 24 orë e monitoruara me kamera”, ka thënë ai në konferencë për media të enjten.

“Ka monitorim 24-orësh në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe nuk besoj se kamerat mund të gënjejnë se çfarë ka ndodhur. Mendoj se Prokuroria duhet të marrë në pyetje kryeministrin Kurtin, Dejona Mihali, Albulena Haxhiun, Nazlie Balajn dhe Flutura Gogaj-Bajrami. Rasti Dehari është shumë i rëndë për t’u mbajtur mbi supet e qytetarëve dhe këtij vendi që kërkon drejtësi e platforma e VV-së ishte punë e drejtësi. Drejtësia duhet të dalë në dritë, të gjitha rrugët janë të qarta se si duhet të bëhet kjo punë”, ka thënë Abazi.

Ai ka thënë se videot e audiot “janë në dispozicion”, duke shtuar se ato janë punë e Prokurorisë.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren në nëntor të vitin 2016, ku po mbahej i paraburgosur nën dyshimin se kishte kryer sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit bashkë me disa aktivistë të tjerë. Teksa Prokuroria atëkohë pati thënë se është vetëvrasje, familja në vazhdimësi ka insistuar se bëhet fjalë për vrasje.

Akuza për ngufatje të zërit të deputetëve

Akuzat e deputetit të VV-së nuk u ndalen vetëm me rastin “Dehari”. Abazi ka thënë se ekzistojnë edhe audio-incizime në të cilat, sipas tij, nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila dhe aktivistja e VV-së, Dehona Mihali, bisedojnë për ta ndalur zërin e deputetëve të pushtetit brenda Kuvendit.

“Janë audio-incizimet ndërmjet Bogujevcit, Kusari-Lilës dhe Mihalit ku bisedojnë për ngufatjen e deputetëve brenda Kuvendit”, ka thënë ai.

Abazi ka thënë se aktivistja e VV-së nga Shqipëria, Dejona Mihali, është masha e kontrollit e Grupit Parlamentar të VV-së në Kuvend dhe, siç thotë ai, mbivendos mbi çdo deputet. Kjo, sipas Abazit, bëhet me urdhër të kryeministrit Kurti.

“Unë e kam iniciuar krijimin e Komisionit për privatizim. Është bllokuar nga Dehona Mihali. Ajo është masha e kontrollit e Grupit Parlamentar të VV-së, duke mbivendosur mbi vullnet e çdo deputeti dhe pa legjitimitet. Mihali nuk ka qenë pjesë e votimeve, nuk ka qenë pjesë e garës së brendshme të VV-së, por është njeriu kryesor që kryeson, menaxhon dhe merr vendime brenda aty. Kam protestuar brenda strukturave të partisë dhe gjitha këto janë heshtur. Demokracia e Kosovës nuk mund të varet nga individë të autorizuar nga Kurti që ata të drejtojnë diskursin demokratik të vendit. Ky është shqetësim shumë më i madh sesa maja e ajsbergut në urdhrin për shkarkimin tim nga kryetari i komisioneve”, ka shtuar Abazi.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika