Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, rikonfirmoi të enjten se është dhënë urdhër për shkarkimin e tij nga pozita e Kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë dhe heqjen nga Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asocim BE-Kosovë.
Në një konferencë për media, ai tha se urdhri është dhënë nga kryeministri Albin Kurti, pasi i njëjti po kërkon njerëz që duan ta rrëzojnë nga pushteti. Megjithatë, Abazi tha se nuk ka votë kundër Qeverisë Kurti.
“Jam këtu për të konfirmuar që është dhënë urdhër për shkarkimin tim nga pozita e Kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë dhe heqjen nga Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asocim BE- Kosovë. Për shumicën prej jush nuk është krejt e papritur kjo gjë. Kureshtja sot është për arsyen që ka sjell deri te vendimi i kryeministrit për shkarkimin tim”.





