LAJME

AAK kërkon interpelancë me Hekuran Muratin: Ekonomia është buzë kolapsit

AAK kërkon interpelancë me Hekuran Muratin: Ekonomia është buzë kolapsit
TV Prizreni
TV Prizreni
11 Maj 2023, 11:44

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kërkuar që të ftohet në interpelancë ministri i Financave, Hekuran Murati.

Lajmin e ka bërë të ditur shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Besnik Tahiri. Ai më këtë rast ka kërkuar rishikim të buxhetit të Republikës së Kosovës dhe rritja e pagave në sektorin publik.

Sipas tij, ekonomia është buzë kolapsit si dhe qytetarët janë të shtyrë që ta lëshojnë vendin.

“Ndërhyrja e Qeverisë në strukturën e të hyrave dhe të shpenzimeve buxhetore ka qenë shumë e dëmshme në rrjedhat e zhvillimit në vend duke i ngritur normat e tatimit në njërën anë, e në anën tjetër duke i bllokuar investimet kapitale. Vetëm për dy vjet qeverisje janë bllokuar rreth 500 milionë euro të investimeve kapitale, me çka është dëmtuar ekonomia e vendit për rreth 200 milionë euro si pasojë e inflacionit dhe vonesës se investimeve kapitale”.

“Gjendja e rëndë socio–ekonomike në vend, e krijuar nga niveli i lartë i inflacionit, rritja e çmimeve të konsumit, shtrenjtimi i çmimit të energjisë dhe vendimi për rritjen e tatimit në pronë, ka bërë që  qytetarët të përballen me vështirësi të shumta”.

“Rritja e pagave në sektorin publik do të ishte zgjidhje që do të lehtësonte sado pak këtë situatë, pasi kjo është kërkesë e kohës. Kjo rritje do të duhej të ndodhte menjëherë me rishikimin buxhetor dhe kjo do të ndikonte në rritjen e konsumit të përgjithshëm por edhe indirekt në rritjen e pagave në sektorin privat. Nëse ky veprim nuk ndodh menjëherë, Kosova rrezikon të zbrazet dhe të mbes pa shumë profesionistë të zotë”, ka thënë Tahiri, shkruan EO.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika