Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka pezulluar zgjedhjet e brendshme. Sipas një njoftimi për media, Këshilli i Përgjithshëm i kësaj partie ka marrë vendimin për “t’u përqendruar plotësisht në procesin zgjedhor nacional”.
Në një komunikatë për media, është thënë se vendimi është marrë me votë unanime.
Pezullimi i zgjedhjeve të brendshme të subjektit të katërt më të madh shqiptar në Kosovë, do të jetë në fuqi deri dy javë pas përfundimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, bëhet e ditur në njoftim.
Po ashtu, Këshilli i Përgjithshëm i AAK-së ka diskutuar planin e partisë për zgjedhjet, pasi presidentja Vjosa Osmani shpërndau Kuvendin të premten. Shtabi Qendror Zgjedhor i AAK-së do të udhëhiqet nga nënkryetari Ardian Gjini.
Muaj më parë, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj pati bërë të ditur se nuk do të kandidojë për një tjetër mandat në krye të partisë dhe se postin pritej ta merrte Ardian Gjini.