Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kërkuar nga, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari – Lila, që të ndërmarrë disa masa që, sipas kësaj partie do të ndikonin në uljen e çmimit të naftës.
Në një letër që shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ia ka dorëzuar ministres është kërkuar lirimi i menjëhershëm i së paku 50% nga TVSH-ja për derivatet dhe heqja e përkohshme e akcizës për naftën deri në stabilizimin e tregut.
Së bashku me TVSH thuhet se kjo do të ndikonte në uljen e çmimit për rreth 40 cent për litër
Gjithashtu AAK-ja ka kërkuar krijimin urgjent të një taskforce të përbashkët me Odën Ekonomike, Shoqatën e Naftëtarëve dhe shoqatat tjera relevante, në bashkëpunim me MINT dhe Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave si dhe marrjen me qira të depove ekzistuese në 5–6 pika kryesore dhe krijimi i rezervave maksimale strategjike të naftës.
Sipas AAK-së mungesa e masave konkrete institucionale në këtë situatë mbetet shqetësuese për stabilitetin ekonomik.
“Në vend të politikave lehtësuese, po vërehen qasje që vështirësojnë operimin e bizneseve, ndërkohë që praktikat rajonale dhe evropiane tregojnë nevojën për ulje të barrës fiskale, mbështetje të sektorëve kritikë dhe krijim të rezervave strategjike”, thuhet në letër.
Çmimi për litër naftë në Kosovë ka arritur në 1.72 euro për litër.
Çmimet e derivateve të naftës janë rritur në nivel global pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit.