KOST-i është autorizuar të mbulojë devijimet e energjisë elektrike në katër komunat veriore të vendit që nuk paguajnë rrymë.
Për këtë ka reaguar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që po thotë se do të shpenzohen miliona euro nga buxheti i Kosovës për t’ia paguar rrymën qytetarëve në këtë pjesë të vendit dhe akuzuan deputetët e Vetëvendosjes që e kaluan këtë propozim në Komisionin për Ekonomi.
“11 milionë euro është shuma të cilën duhet ta paguajnë shumica e qytetarëve të Republikës së Kosovës, për një pakicë e cila vet dhe në bashkëpunim me Serbinë, sfidon institucionet tona. Ky është propozimi, i cili kaloi sot nga deputetët e VV-së në Komisionin përkatës”.
AAK thotë se është e habitshme që pas arritjes së pavarësimit energjetik, Qeveria e Kosovës të bie në shantazh të serbëve të veriut.
“Përpos dëmit financiar në buxhetin e vendit, i cili ndërtohet me djersën dhe kontributin e shumicës prej nesh, nga ky veprim, kemi një zinxhir të dëmeve të tjera. Me këtë, Kuvendi pajtohet që Republika e Kosovës, nuk ka potencial të jetë vend jo diskriminues e shtet i së drejtës dhe është shtet që inkurajon shkelësit e ligjit, ta keqpërdorin rrymën, duke e shfrytëzuar jo racionalisht dhe madje duke e shfrytëzuar me qëllime të dëmtimit të kapacitetit energjetik të vendit”.
Si pasojë, AAK përmend edhe blerjen e energjisë kur ajo nuk mjafton, duke ndikuar në rritjen e kostos.
“Në momentin kur kemi procesin e Brukselit, kjo dëshmon që Qeveria nuk ka kapacitet të zbatojë ligjin efektivisht në tërë territorin e Kosovës, e as të vazhdojë integrimin e pjesës veriore të saj. Ky është zhvillim i tmerrshëm, në një kohë pandemie, kur buxheti dhe ekonomia familjare e njerëzve që e duan Kosovën po sfidohen”.