Qeveria e Kosovës e gjen veten përballë kërkesave të qytetarëve për të vepruar kundrejt rritjes së çmimeve të produkteve bazike.
Blerina Qerimi, qytetare e Prishtinës, thotë se duhet rritur rrogat që të përballohen çmimet.
“Mendoj se duhet rritur rrogat dhe të barazohemi me çmimet që janë rritur”, thotë Qerimi.
Ndërsa sipas qytetarit Sali Ejupi, shteti duhet të ndalojë shtrenjtim e gjërave elementare.
“Kushtet e popullatës sonë janë të tilla që nuk ka mundësi t’i përballojë këto çmime. Shteti duhet të ndalojë shtrenjtim e miellit, bukës dhe gjërave të tjera elementare”, thotë Ejupi.
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) bën të ditur se çmimet e produkteve të konsumit janë rritur për 5.7 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2021.
Rritja më e lartë është vërejtur te buka, drithërat, mishi, qumështi, djathi, vaji, vezët, pemët dhe perimet. Rritje ka pësuar edhe çmimi i energjisë elektrike.
Situatë e ngjashme me çmime është edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe në Evropë. Deri te kjo ka ardhur për shkak të pengesave në zinxhirin e furnizimeve që ka shkaktuar pandemia COVID-19, si edhe për shkak të rritjes së çmimeve të gazit.
Për të lehtësuar bazën ekonomike mbi qytetarët, vende si Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë ngrirë çmimet e produkteve bazike.
Qeveria e Kosovës thotë se është duke bërë veprime të tjera, që, sipas saj, do t’i përgjigjen në mënyrë të ligjshme dhe të përshtatshme situatës së krijuar.
“Jemi duke punuar në funksionalizimin e plotë të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, nëpërmjet plotësimit të bordit. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë tashmë ka proceduar për miratim Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, i cili parasheh fushat dhe format e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë dhe Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për konkurrencë të shëndoshë të tregut”, thotë zëdhënësi Përparim Kryeziu.
Ekonomia e tregut me konkurrencë të lirë është bazë e rregullimit ekonomik të Kosovës.