Iniciativa “Komuniteti i Bashkuar” e Adriana Hoxhiq në zgjedhjet e 14 shkurtit, ka arritur t’i marrë rreth 7 mijë vota, mirëpo më shumë se gjysma e votave për të kanë ardhur nga Komunat me shumicë serbe, madje edhe nga ato ku nuk jeton asnjë pjesëtar i komunitetit boshnjak, pjesë e së cilit është Hoxhiq.
Dyshimet e bazuara janë se subjekti politik i Hoxhiq është përkrahur nga Lista Serbe, duke synuar që në legjislaturën e re të Kosovës t’i ketë hiç më pak se 13-14 deputetë.
Përkrahja e Listës Serbe për Hoxhiq ka lënë jashtë Kuvendit disa subjekte politike që e kanë përfaqësuar deri më tani komunitetin boshnjak.
Për votat e shumëta që ka marrë Hoxhiq, është ankuar në PZAP edhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, por ankesa e saj është hedhur poshtë.
Reagime të shumta ka pasur edhe nga Organizatat Jo-Qeveritare, të cilat kanë kërkuar që institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare t’i mbrojnë të drejtat e pakicave, pavarësisht madhësisë së tyre numerike dhe që urgjentisht të kërkojnë hetim meritor të rastit.
E lidhur me këtë, për FrontOnline, ka folur koordinatorja nacionale e zgjedhjeve nga Prokuroria e Shtetit, Laura Pula.
Ajo tha se, Prokuroria është duke i marrë të gjitha veprimet lidhur me këtë rast.
“Ne jemi duke i ndërmarr të gjitha veprimet dhe në këto raste nuk mundemi me u prononcuar për rrjedhën e procedurës, sepse mund të na prishen hetimet”, ka thënë shkurt Pula për Front Online.