Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do ta pengojë zgjedhjen e Vjosa Osmanit në postin e presidentes së vendit.
Këtë garancë e dha për Front Online, deputeti i saj, Bekë Berisha.
Sipas tij, përdorimi i gazit e mjeteve tjera që në të kaluarën shërbenin për këso qëllime, tash është diçka e “daltë mode”.
“Jo nuk do të ketë këso skena në seancën që do të thirret për votimin e Vjosa Osmanit. Gazi e format e tjera janë demode”, u shpreh shkurt për Front Online deputeti Berisha.
Siguri dha edhe kur tha se partia e tij nuk do t`ia bëjë kuorumin për t`u bërë presidente pretendentes Vjosa Osmani.
“Ne kurrë nuk kemi ndryshuar mendim. Gjithmonë kemi thënë se kandidati ynë i vetëm për president është Ramush Haradinaj”, deklaroi Berisha.
Megjithatë, ligjvënësi i AAK-së nuk la pa përmendur diçka.
“LDK-ja po do t`ia bëjë numrat. Ju priftë e mbara. Ne nuk kemi çka komentojmë për këtë qëndrim të tyre”, tregoi ai për Front Online.
Kosova prej 5 nëntorit vazhdon të jetë me ushtrues detyre të Presidentit.
Deri para pak ditësh këtë post e mbajti Vjosa Osmani. E tash deri sa kjo e fundit t`i sigurojë votat e nevojshme, në karrigen presidenciale përkohësisht është ulur Glauk Konjufca, i zgjedhur 1 javë më parë kryeparlamentar i ri i Kuvendit.
Presidenti i Republikës së Kosovës, sipas Kushtetutës së Kosovës zgjedhet nga kuvendi, me votim të fshehtë.
Zgjedhja e presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të kuvendit.
Nëse asnjëri kandidatë nuk merr shumicën prej dy të tretave në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjedhet president i Republikës së Kosovës.
Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet president i Republikës së Kosovës, shpërndahet kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.