Kryeministri Albin Kurti, gjatë këtij viti, ka zhvilluar disa vizita në Greqi, qoftë për forume e për vizita të ndryshme.
E kjo është parë si një ndryshim i politikës greke karshi Kosovës, e optimizëm te Kosovarët.
Megjithatë njohja nga Greqia ende nuk ka ardhur dhe Greqia vazhdon të mbajë qëndrim mosnjohës ndaj shtetit të Kosovës.
Ndonëse ka ngritje të raporteve diplomatike e jo njohje, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti në një intervistë për Lajmi.net, ka thënë se ka ndryshime pozitive.
Sipas tij tani takimet mes Greqisë dhe Kosovës janë në një nivel më të lartë dhe se poashtu ka dyfishim të tregtisë, ndërmjet dy vendeve.
Ahmeti ka thënë se sigurimi i njohjes së pesë vendeve të BE-së është primare për MPJ-në dhe po punohet në atë drejtim.
“Po ka punë të vazhdueshme, sikurse ka pasur që nga fillimi i mandatit, për njohje të reja, për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me vendet të cilat nuk kemi, prioriteti janë pesë vendet e BE-së.
Është e qartë se me Greqinë zhvillimet kanë qenë në një hap më të madh më të shpejtë dhe ka pasur zhvillime përmbajtjesore, në fillim të mandatit kemi arritur një marrëveshje me Athinën që të ngrisim statusin e zyrës sonë në Athinë dhe kjo nuk do të thotë vetëm ndryshim emri, por diplomatët tanë nga ai moment kanë filluar të kenë takime në Ministrinë e Punëve të Jashtme, gjë që nuk ka qenë në të kaluarën. Tregëtia është ngritur, ka dyfishim gjatë kësaj kohe dhe nuk është vetëm e njëanshme”, tha Ahmeti për Lajmi.net.