Qeveria komunale e Prizrenit të mërkurën ka mbajtur takim në distancë me qytetarët, me ç’rast kryetari Mytaher Haskuka ka njoftuar publikun për punët e realizuara gjatë vitit 2020. Për shkak të pandemisë, pjesëmarrja në këtë takim ka qenë e kufizuar, dhe i njëjti është mbajtur edhe në mënyrë virtuale.
Pjesëmarrësit në sallë kanë paraqitur shqetësimet e tyre lidhur me zhvillimin ekonomik lokal dhe për infrastrukturën sportive, derisa qytetarët tjerë përmes rrjeteve sociale kanë adresuar pyetje lidhur me rregullimin e infrastrukturës, telashet në trafik dhe planifikimin hapësinor.
Kryetari Haskuka në hapje të takimit publik ka pranuar se sivjet pandemia ka sfiduar realizimin e projekteve. Megjithëkëtë ai ka theksuar se realizimi i buxhetit ka shkuar në mbi 85 për qind.
kanë qenë problemet që i kemi pas lidhur me Covid-in. Që prej marsit kemi pas një periudhë ku shumica e aktiviteteve ekonomike kanë qenë të pamundësuara, ndërsa puna e Komunës realisht ka filluar nga muaji qershor. Nga qershori deri më tani, nëse i shikojmë edhe projektet, besoj që kemi arrit të punojmë mjaftueshëm. Do të shohim edhe nga rezultatet që edhe pse ka qenë një vit me probleme të mëdha nga niveli qendror lidhur me stabilitet politik, ku kemi pasur 2 qeveri, vonesë në formimin e qeverisë së parë, vonesë në votimin e buxhetit, pastaj në qershor nuk është votuar rishikimi i buxhetit. Por pavarësisht këtyre ne në përgjithësi jemi mbi 85 për qind me buxhetin e Komunës”, ka thënë Haskuka. Në vijim për rreth 80 minuta ka paraqitur projektet e jetësuara dhe në zhvillim e sipër nga drejtoritë komunale, si dhe për ngjarjet me rëndësi. Në të njëjtën kohë ka folur edhe për aktivitetet lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19 në nëntë muajt e shkuar.
Pas këtij prezantimi, Afrim Tejeci nga Oda e Ndërmarrësve dhe Zejtarëve të Prizrenit ka shprehur shqetësimin lidhur me çmimet e qirave për hapësirat në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve.
“Si komuniteti i biznesit, pasi që përfaqësoj Odën e Prizrenit, kemi mbi 26 ankesa kryesisht për shkak të çmimit të lartë… Kërkohet mundësimi i çmimit më të lirë”, ka thënë Tejeci, duke pohuar se në zonën ekonomike të Suharekës ofrohen çmime tejet më të volitshme për bizneset.
Sipas tij, çmimet e qirave duhet të lirohen në PIT, me qëllim të tërheqjes së investitorëve. Ai ka kërkuar një kujdes të shtuar edhe për rrugën “Adem Jashari”, me qëllim të lehtësimit të afarizmit në këtë zonë.
Haskuka ka theksuar se funksionalizimi i PIT-it është hap i mirë për ekonominë e Prizrenit, derisa për çmimet në fjalë ka theksuar se ato janë të bazuara në hulumtimin e tregut.
“Sipas menaxhmentit të Parkut, nëse çmimet ulen mund të dëmtohet ekonomia e Prizrenit, pasi që mund të bien edhe çmimet e qirave në zonat tjera. Prandaj është marrë 70 për qindëshi i çmimit të qirave në Prizren”, ka thënë Haskuka, duke shtuar se ka pas 50 aplikime të operatorëve për PIT, derisa pandemia ka ndikuar që të mos ketë aplikime nga investitorët e jashtëm. “Kërkesat që i keni mund t’i prezantojë në takimet e bordit të PIT-it”, është shprehur ai.
Ndërsa drejtori i Shërbimeve Publike, Osman Krasniqi ka theksuar se ndriçimi në rrugën “Adem Jashari” ekziston, ani pse zgjidhje teknike nuk është ideale.
“Megjithatë një zgjidhje finale duhet të bëhet”, ka deklaruar Krasniqi, duke informuar se për shërbimet e ndriçimet publik duhet të përmbyllet procedura e prokurimit.
Në vijim Haskuka ka lexuar edhe pyetjet e dërguara nga qytetarët përmes rrjeteve sociale lidhur me rregullimin e infrastrukturës në lagjen Arbanë, telashet në trafik përkatësisht sinjalizim në lagjen Dardania dhe planifikimin hapësinor të qytetit. Drejtori Krasniqi ka konfirmuar telashet sa i përket funksionimit të semaforëve në qytet, sikurse edhe planet për riparimin e rrugës në Arbanë. Sa i përket planifikimit hapësinor, Haskuka ka pohuar se planet urbanistike janë hartuar më herët, derisa kontrata për përpilimin e Hartës Zonale është trashëguar nga qeverisja e shkuar, dhe ka vazhduar procedurat duke marrë për bazë edhe Planin Zhvillimor Komunal. Në fund ai ka uruar një vit më të mbarë për gjithë qytetarët e kësaj komune./KOHA/