Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do ta vizitojë vetë i treti Kosovën e Serbinë këtë javë.
Më 9 shtator bashkë me të do të jenë edhe Jens Plettnerin dhe Emmanuel Bonnin, dy këshilltarët e emëruar të Gjermanisë dhe Francës për procesin dialogues.
Ardhja e treshes në Prishtinë e në Beograd, nga analistët politikë kosovarë po shihet si sinjal se marrëveshja finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është afër.
Analisti Dritëro Arifi tha për FrontOnline se dialogu ka hyrë në fazën e parë të finalizimit.
“Sa i përket vizitës së Lajcakut me 9 shtator ku do të bashkëngjiten këshilltari i Makronit dhe kancelarit gjerman, për dialogun Kosovë –Serbi, jemi në fazën e parë për një marrëveshje finale, por ende duhet të qartësohet rruga, duhet ta kemi një kornizë tematike dhe kornizë kohore se deri kur mund të zgjatë ky dialog që po udhëhiqet nga BE-ja”, deklaroi Arfi.
Ky thotë se Jens Plettnerin dhe Emmanuel Bonnin u emëruan pikërisht për t`i dhënë këtë kahje procesit.
“Bashkëngjitja e tyre ka të bëjë për ta fuqizuar BE-në sidomos nga dy vendet më të fuqishme të BE-së, siç është Franca dhe Gjermania, sepse e kanë kuptuar se dialogu ka devijuar nga ajo që është nisë nuk ka marrëveshje finale po flasim për gjëra teknik për gjëra që mund të rregullohen shumë shpejt, kanë kaluar 11 vite dhe ne flasim për targa e letra që mund të rregullohen shumë shpejt”, tha ai.
Se vizita e Lajcakut në Kosovë lidhet me arritjen e një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e thotë edhe analisti, Gazmir Rraci.
“Vizita e Lajçakut në Kosovë është në kuadër të mandatit që e ka për dialogun Kosovë- Serbi, por kësaj radhe ai do të shoqërohet nga dy këshilltarë e presidentit francez e kancelarit Gjerman e që për mendimin tim kjo tregoj se dialogu i Brukselit po ecë drejt marrëveshjes finale, për fatin që kryeministri Kurti në takimin e fundit i ka propozuar 6 pikat se si Kosovën e sheh në marrëveshjen finale”, u shpreh ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, takimin e fundit në kuadër të dialogut e kanë mbajtur më 18 gusht në Bruksel.
Atë ditë jo, por Kosova e Serbia u dakorduan disa ditë me vonë për marrëveshjen me letërnjoftimet. Akord s`ka aktualisht për targat.