Kryetari i Odës së Hotelerisë së Kosovës, Hysen Sogojeva, deklaroi se bizneset e gastronomisë e kanë të pamundur mbijetesën pa furnizim të rregullt me energji elektrike, ndërsa sipas tij, shumë biznese kanë nisur ta mendojnë reduktimin e numrit të punonjësve.
Sogojeva tha për KTV-në të hënën, se pas pandemisë, edhe nisja e reduktimeve është barrë e madhe për bizneset.
“Për këto biznese, reduktimet janë lajm i keq. Këto si veprimtari turistike, gjatë Covid kanë qenë të atakuara, nuk janë ndihmuar në përgjithësi nga shteti. Tash janë reduktimet, kjo është barrë e madhe. Nëse nuk intervenohet, do të jetë një punë shumë e keqe për bizneset sepse nuk mund të mbijetojnë. Vet fakti që nuk po mund ta mbajnë këtë ngarkesë, kanë nisur të mendojnë për reduktimin e punëtorëve. Nuk ka zhvillim të këtyre subjekteve sepse shtrenjtimi, plus tash gjeneratori dhe puna më të, ia merr shpenzimet”, tha ai.
Sipas Sogojevës, kryeqyteti e përballon disi krizën e reduktimeve, por bizneset në komunat e tjera, sipas tij, e kanë shumë më të rëndë gjendjen.
“Nuk dihen a janë reduktime apo prishje, në opinion e lus Qeverinë që të bëjë një sqarim se topa po hidhet herë te KEDS-i herë të KEK-u, e herë te Qeveria. Aktualisht nuk e di se kush është fajtor, kisha kërkuar që të bëhet një sqarim dhe të dihet për pjesën e sezonit të dimrit, le të përgatiten njerëzit më herët. Nëse vazhdohet kështu, rreth 25 për qind të bizneseve e presin ndoshta vetëm gushtin sa ka qenë diaspora. Nga shtatori janë në pikëpyetje se a do të vijojnë të punojnë”, shtoi ai.
Sogojeva theksoi se së shpejti do t’i listojnë kërkesat për Qeverinë.
VIDEO: