Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se është shqetësuese ndërhyrja e nivelit qendror në punët e nivelit lokal, pas mosmarrëveshjes për dhënien e tokës në Bërnicë të Poshtme për “Sunny Hillin”.
Sipas Ibrahimit, ndërhyrja e nivelit qendror në punët e nivelit lokal është vërtetuar edhe nga Kushtetuesja në rastin e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci.
“Komuna e Prishtinës na ka kërkuar ta vlerësojmë çështjen dhe më vonë kemi dalë me një reagim. Nuk është hera e parë që ndërhyjnë në punët e nivelit lokale. Edhe Nagavci e ka bërë. Nuk e di ka po e marrin guximin këta ministra me ndërhy në punët e komunave”, ka thënë Ibrahimi në emisionin “SOT” të KTV-së.
Drejtori i AKK-së shprehet se Ligji për Vetqeverisje Lokale e thotë qartë që ministria s’mund të ndërhyjë në punët e Komunës.
Kuvendi Komunal i Prishtinës si organi më i lartë ia ka dhënë tokën në shfrytëzim Sunny Hillit. Ne si AKK nuk hyjmë aty a duhet 99 vjet apo jo, por shqetësimi ynë është pse niveli qendror po ndërhyn në punët e nivelit lokal. Ligji për vetqeverisje lokale është i pastër si loti”, shtoi ai.
Ibrahimi ka pasur edhe kritika të tjera për Qeverinë Kurti, e cila sipas tij, nuk po ballafaqohet me ta për një mori problemesh që kanë komunat.
“Arroganca e nivelit qendror kundrejt atij lokal nuk dërgon një bashkëpunim korrekt. Kurti e ministrat duhet të ballafaqohen me një mori problemesh që kanë komunat”, ka thënë ai.
Ibrahimi deklaroi se Qeveria po sillet ndryshe me komuna të caktuara në baza politike dhe etnike, por nuk përmendi se cilat janë ato.