Mbi 10 milionë euro është shuma që shteti i Kosovës e ka shpenzuar deri më tash për mbrojtjen e të akuzuarve për krime lufte, të cilët po përballen me drejtësinë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ka konfirmuar Ministria e Drejtësisë.
Nga viti 2020 e deri në prill të këtij viti, shuma fikse e shpenzuar për 8 avokatët e të akuzuarve është 10,022,760 euro, ka bërë të ditur MD-ja për “Betimin për Drejtësi”.
Gjykata Speciale ishte themeluar në gusht të vitit 2015, pasi deputetët e Kosovës kishin miratuar amandamentin kushtetues, përkatësisht nenin e ri 162 të Kushtetutës së Kosovës, me dy të tretat (2/3) e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si dhe Ligjin pёr Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit tё Specializuar (ZPS), me 71 vota të deputetëve të Kosovës.
Proceset gjyqësore pranë gjykatës filluan më 2021. Në cilësinë e personave të akuzuar kanë përfunduar edhe ish-udhëheqës politikë të vendit, të cilët kanë mbajtur pozita udhëheqëse gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Hashi Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen nga ana e ZPS se ndërmjet marsit të vitit 1998 e deri në shtator 1999, kanë kryer krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave që konsideroheshin si kundërshtarë.
I akuzuari tjetër, Salih Mustafa, po përballet me akuzat për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt. Për krime lufte po gjykohet pranë kësaj gjykate edhe i akuzuari Pjetër Shala.
Ndërsa, me akuzat për pengim në administrimin e drejtësisë ishin ngarkuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, të cilët edhe janë gjetur fajtorë për këto vepra penale, duke u dënuar me nga 4 vjet e gjysmë burgim dhe gjobë në shumën prej 100 euro.
Referuar përgjigjes zyrtare të pranuar nga MD-ka rezulton se nga buxheti i garantuar me ligj deri më tani, më së shumti mjete janë ndarë për mbrojtjen e Rexhep Selimit, gjithsej 1.54 milionë euro. Më së paku është paguar mbrojtja e të akuzuarit Shala, gjithsej 390 mijë euro.
Për mbrojtësin e të akuzuarit Salih Mustafa nga muaji tetor 2020 e deri në dhjetor 2021 rezulton se janë shpenzuar 893 mijë euro, ndërsa për vitin 2022, deri më tani janë shpenzuar 284 mijë euro.
Ndërsa, për mbrojtësin e të akuzuarit Jakup Krasniqi nga muaji nëntor 2020 e deri në dhjetor 2021 janë shpenzuar 1.24 milionë euro, ndërsa për vitin 2022, deri më tani janë shpenzuar 273 mijë euro.
Për periudhën nëntor 2020 – dhjetor 2021, për mbrojtësin e Selimit janë shpenzuar 1.17 milionë euro, ndërsa për sivjet janë shpenzuar 364 mijë euro.
Për mbrojtësin e Gucatit në periudhën tetor 2020 – dhjetor 2021 janë shpenzuar 1.13 milionë euro, ndërsa më 2022, 324 mijë euro.
Për mbrojtësin e të Thaçit në periudhën dhjetor 2020-dhjetor 2021 janë shpenzuar 1.11 milionë euro, ndërsa më 2022, 271 mijë të tjera.
Nga shkurti i vitit 2021 e deri në fund të atij viti për mbrojtësin e Veselit janë shpenzuar 854 mijë euro, ndërsa më 2022 janë shpenzuar edhe 380 mijë euro tjera.
Për mbrojtësin e të akuzuarit Pjetër Shala nga muaji nëntor 2021 janë shpenzuar 130 mijë euro ndërsa për vitin 2022, deri më tani janë shpenzuar 260 mijë euro.
Mbulimi i këtyre shpenzimeve në adresë të të akuzuarve të Speciales bëhet konform Nenit 3, paragrafi 1 të Ligjit nr. 05/l-054 për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.
Sipas nenit 3.1 të këtij ligji përcaktohet se “Të gjithë personat e akuzuar kanë të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësit të pavarur, me përvojë dhe kompetencë, që paguhen nga Buxheti i Kosovës, i alokuara për qëllimet e këtij Ligji”.