Ndihmat e mbledhura gjatë një aksioni disaditor në Komunën e Podujevës, janë nisur të mërkurën për në Ukrainë.
Sipas njoftimit të Komunës së Podujevës, gjatë këtij aksioni janë grumbulluar pako higjienike, veshmbathje dhe pako shkollore ku, përfshihen edhe dhurata nga nxënësit e shkollave nga Komuna e Podujevës.
“Me një ceremoni të përbashkët ku mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, drejtoresha e Administratës, Antoneta Ejupi dhe drejtori i Arsimit, Avni Fetahu, është nisur nga Podujeva për në Ukrainë kontingjenti i ndihmave të grumbulluara nga aksioni i organizuar në bashkëpunim mes Komunës së Podujevës dhe ushtarëve ukrainas që shërbejnë në Kosovë”, thuhet në këtë njoftim.
Bulliqi nëpërmjet këtij njoftimi i ka falënderuar të gjithë ata që ndihmuan në realizimin e këtij aksioni, me theks të veçantë nxënësit e shkollave, Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, Stacionin e Policisë në Podujevë dhe bizneset e ndryshme.
“Komuna e Podujevës dhe ushtarët ukrainas që veprojnë në Kosovë do të vazhdojnë edhe me aktivitete të tjera”, thuhet tutje në njoftim.