32 zyrtarë policorë janë arrestuar në periudhën 2019- 2021 nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit ndërsa sipas statistikave që ka siguruar KALLXO.com nga Policia e Kosovës, nëntë zyrtarë policorë janë larguar nga puna nën dyshimin se kanë qenë të përfshirë në korrupsion.
Në total në tri vitet e fundit, sipas Policisë së Kosovës janë larguar nga puna 82 zyrtarë policorë për vepra të ndryshme penale e 288 janë suspenduar.
Javën që lamë pas, 48 zyrtarë policorë u arrestuan nën dyshimin se të njëjtit gjatë një periudhë disa mujore kanë pranuar ryshfet në shuma të ndryshme gjatë kryerjes së detyrës së tyre në pikat kufitare Qafë Prushë dhe Qafë Morinë.
Një hetim disa mujor i Inspektoratit Policor të Kosovës nën koordinim me Prokurorinë Speciale rezultoi me 50 të arrestuar të hënën e javës së kaluar.
48 zyrtarë policor kufitarë dhe dy doganierë u prangosën nën dyshimet për korrupsion.
