Kufiri Shqipëri-Kosovë do të ketë katër pika të shërbimit doganor. Njëra nga to është edhe pika e përbashkët e kalimit kufitar Shishtavec (Kukës) – Krushevë (Dragash), e cila ka marrë aprovimin e Qeverisë së Shqipërisë dhe është dërguar për miratim në Parlament
Qeveria e Shqipërisë vazhdon të kthejë në vendime dhe në projektligje për t’i dërguar më pas në parlament 13 marrëveshjet e firmosura në mbledhjen e përbashkët me Qeverinë e Kosovës, mbajtur më 26 nëntor të vitit kaluar në Elbasan. Në mbledhjen e radhës të mbajtur ditën e mërkurë, Këshilli i Ministrave ka miratuar marrëveshjen për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës) – Krushevë (Dragash). Marrëveshja me ndryshime u nënshkrua nga ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi, dhe ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla. Po ashtu, në kuadër të këtyre marrëveshjeve është miratuar edhe lehtësimi i procedurave dhe kushteve për marrjen e lejeqëndrimit të përkohshëm në të dyja vendet.
“Miratimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për lehtësimin e procedurave dhe kushteve për marrjen e lejeqëndrimit të përkohshëm, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 2 shkurt.
Kufiri Shqipëri-Kosovë do të ketë tani e tutje katër pika të shërbimit doganor. Pika e përbashkët e kalimit kufitar Shishtavec (Kukës) – Krushevë (Dragash) pas miratimit të kësaj marrëveshjeje edhe nga Qeveria e Kosovës do të jetë një pikë e mirëfilltë e kalimit kufitar ku do të shërbejë edhe si pikë doganore dhe pa kufizime për shtetasit e ndryshëm që duan të lëvizin nga Shqipëria në Kosovë e anasjelltas.
Pikëkalimi kufitar Shishtavec- Krushevë dhe ajo Orgjost-Orqushë është hapur në tetor të vitit 2003 pas arritjes së memorandum-bashkëpunimit në mes Qeverisë së Shqipërisë dhe UNMIK-ut. Ndërsa ajo Borje-Glloboçicë është hapur në qershor të 2009-s pas marrëveshje mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.
Këto pika të kalimit kufitar kanë shërbyer vetëm për këmbësorët që janë banorë lokalë në të dyja anët e kufirit në një distancë prej 15 kilometrash nga pika kufitare.
Më 16 prill të vitit 2013, në Tiranë, ministrat e brendshëm të Kosovës dhe të Shqipërisë nënshkruan marrëveshjen që pikat e kalimit kufitar Borje – Glloboçicë; Orgjost –Orqushë dhe Shishtavec – Krushevë të funksionojnë si një qendër e përbashkët e bashkëpunimit policor. Konkretizimi i kësaj marrëveshjeje u arrit më 10 maj të vitit 2013, ku në pikëkalimin kufitar Shishtavec-Krushevë lejohej edhe qarkullimi i autoveturave.
Pika e kalimit të përbashkët Shishtavec-Krushevë është e vendosur në territorin e Shqipërisë në rajonin e piramidës D18. Aktiviteti i pikëkalimeve të përbashkëta kufitare bazohet në legjislacionin respektiv të të dyja vendeve, rekomandimet e BE-së, Kodin Shengen, si dhe në praktikat më të mira ndërkombëtare.
Në kufirin Shqipëri-Kosovë, me një gjatësi prej 111.8 kilometrash, aktualisht ekzistojnë gjashtë vendkalime kufitare, ku tri prej tyre janë në zonën e Gorës, Zona e Gorës në rrethin e Kukësit ka një popullsi prej 14 500 banorësh. Nga gjashtë vendkalime kufitare, tashmë katër prej tyre janë të miratuara edhe si pika doganore, ku vetëm ajo Morinë-Vërmicë është e kategorisë së parë. Pika doganore e Qafë-Prushit në Has dhe e Qafë-Morinës në Tropojë janë të kategorisë së dytë, ndërsa Shishtavec-Krushevë e kategorisë së tretë.